Fluks i lartë turistik

Ndërsa “China Haul” po bëhet një nga temat më të përhapura në rrjetet sociale në mbarë botën, gjithnjë e më shumë turistë të huaj po vizitojnë Kinën jo vetëm për të parë atraksionet, por edhe për të bërë blerje.

Politikat lehtësuese, si hyrja pa vizë dhe rimbursimi i taksave në dalje nga vendi, po i japin një shtysë të mëtejshme këtij trendi.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga janari deri në gusht të këtij viti, shtetasit e huaj regjistruan afro 61.29 milionë hyrje dhe dalje kufitare, me një rritje prej 19.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prej tyre, 23.72 milionë ishin hyrje pa vizë, ose 26.8% më shumë se të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës, në shtatë muajt e parë të vitit, vizitorët nga jashtë shpenzuan në Kinë 263.6 miliardë juanë (rreth 39 miliardë dollarë), me një rritje prej 27.8% .

Një nga destinacionet më të njohura për blerje është Huaqiangbei në Shenzhen, një nga tregjet më të mëdha të elektronikës në vend. Këtë vit, mesatarisht 8000 blerës të huaj e kanë vizituar çdo ditë. Nga janari deri në korrik, shitjet e produkteve të lidhura me inteligjencën artificiale në këtë zonë u rritën me mbi 55% . Shitjet e syzeve me AI u dyfishuan, ndërsa ato të dronëve dhe robotëve u rritën me 60% deri në 70%.

Popullariteti i prirjes “China Haul” lidhet me ndryshimin e mënyrës së konsumit të turistëve të huaj, të cilët po kalojnë nga blerja e suvenireve dhe simboleve kulturore drejt teknologjive, dizajnit dhe përvojave të konsumit kineze, tha He Yun, profesore e asociuar në Shkollën e Administratës Publike të Universitetit Hunan.

Sipas saj, pas këtij trendi qëndron modernizimi i industrisë prodhuese kineze dhe i sektorëve kulturorë e krijues. Kjo pasqyron një kalim të rëndësishëm nga eksporti i kapaciteteve prodhuese drejt eksportit të markave dhe mënyrave të jetesës.