Misetic ngre pikëpyetje: Si mund ta dinte Macron 6 ditë më herët se Thaçi do të dënohej rëndë?

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, ka ngritur pikëpyetje të forta pas një deklarate të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, lidhur me informacionet që ky i fundit thotë se kishte marrë në Paris, vetëm pak ditë përpara shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës.

Vuçiq deklaroi më 12 shtator se gjatë qëndrimit në Paris kishte marrë sinjale nga “liderë evropianë dhe botërorë” se Thaçi mund të merrte një “dënim të rëndë”. Ai ishte takuar me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Paris më 9-10 shtator.

Pikërisht kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Misetic. Avokati pyet se si mund të kishte dijeni një lider evropian për rezultatin e procesit gjashtë ditë përpara aktgjykimit të 16 shtatorit, si dhe përse çështja e Thaçit do të diskutohej në një takim të tillë.

«“Se si Macron e dinte rezultatin e aktgjykimit të paktën gjashtë ditë përpara dhe pse Macron po fliste me Vuçiqin për këtë çështje, janë pyetje që mbeten për t’u përgjigjur”, shkroi Misetic, duke e interpretuar referencën e Vuçiqit si të lidhur me presidentin francez.»

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara e dënuan Thaçin me 25 vite burg në gjykimin për krime lufte. Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar dhe mund të apelohet.