Pas një sezoni intensiv të luftimit të zjarreve, piloti i “Air Tractor”, Vasko Mihalçev, përfundon sot angazhimin e tij në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, përcjell TV21. Mihalçev, i cilësuar si një nga emrat e njohur të aviacionit dhe fluturimit sportiv në Maqedoni, këtë sezon ka realizuar mbi 160 orë fluturimi. Sipas tij, edhe kolegët e tij kanë regjistruar mbi 130 orë fluturimi.
Ai theksoi se, me vetëm tre avionë dhe tre pilotë, ekipi ka arritur të përballojë një sezon jashtëzakonisht të ngarkuar dhe të shfrytëzojë në maksimum kapacitetet në dispozicion.
Nga DMSH-ja e vlerësuan angazhimin e pilotëve dhe e cilësuan sezonin si një nga më të suksesshmit në luftimin e zjarreve, pavarësisht burimeve të kufizuara. Në ditën e fundit të angazhimit, Mihalçev realizoi edhe fluturimin e tij të fundit me “Air Tractor”. Drejtoria e falënderoi për kontributin, ndërsa i la të hapura dyert për një rikthim të mundshëm në të ardhmen.
Mihalçev, nga ana e tij, theksoi se rezultatet e sezonit nuk janë meritë individuale, por e gjithë ekipit të pilotëve, mekanikëve dhe stafit që u kujdes për funksionimin e avionëve.
Kontratat e angazhimit të pilotëve në pension, mes tyre edhe Vasko Mihalçev, në të kaluarën janë rinovuar përkohësisht për shkak të mungesës së pilotëve të rinj. Ndërkohë, DMSH-ja ka njoftuar se po bëhen përpjekje për të siguruar kuadro të reja, përmes angazhimit dhe trajnimit të pilotëve të rinj për “Air Tractor”-ët./tv21.tv





