Një ekskavator që përdorej për ndërtimin e stadiumit të “Shkëndijës” në Haraçinë është përfshirë nga zjarri gjatë natës. Rasti është raportuar në polici rreth orës 02:36.
Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është shuar nga ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit.
Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, e cilësoi incidentin si përpjekje për të penguar realizimin e projektit dhe kërkoi që autoritetet ta zbardhin sa më shpejt rastin dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Ai theksoi se incidenti nuk do ta ndalojë ndërtimin e stadiumit, gurthemeli i të cilit u vendos të premten e kaluar.
Për rastin reagoi edhe koalicioni VLEN, i cili e cilësoi ngjarjen si sulm ndaj një projekti zhvillimor dhe deklaroi se punimet do të vazhdojnë.
Shkaqet dhe rrethanat e zjarrit mbeten për t’u përcaktuar nga organet kompetente.





