Personeli, pajisjet dhe automjetet e Batalionit të Parë të regjimentit britanik “The Rifles” kanë mbërritur në Kosovë, në kuadër të një dislokimi të planifikuar dhe rutinë, si pjesë e Forcës Rezervë Strategjike të KFOR-it.
Lajmi është bërë i ditur nga Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili ka sqaruar se trupat britanike do të qëndrojnë për rreth gjashtë javë dhe gjatë kësaj periudhe do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh stërvitore.
Sipas KFOR-it, dislokimi është pjesë e kontributit afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar në misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
“Gjatë gjashtë javëve të ardhshme, ata do të zhvillojnë disa aktivitete stërvitore, si pjesë e kontributit afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR ka theksuar se ardhja e këtij batalioni britanik nuk përfaqëson ndonjë ndryshim në mandatin e misionit në Kosovë.
“Dislokimi i këtij batalioni nga Mbretëria e Bashkuar nuk përfaqëson ndryshim të mandatit të KFOR-it dhe nuk është pjesë e procesit të nisur për optimizimin e qëndrimit të KFOR-it, për të siguruar që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij”, thuhet më tej në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Sipas misionit të NATO-s, KFOR-i vazhdon të ketë si detyrë kontributin në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
KFOR-i vepron në bazë të mandatit të tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, të përcaktuar përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1999.
Misioni thekson se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX-in.
“Ne vazhdojmë të kontribuojmë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes”, thekson KFOR-i.
Sipas njoftimit, Policia e Kosovës dhe EULEX-i vazhdojnë të veprojnë në kuadër të roleve dhe përgjegjësive të tyre përkatëse si aktorë të reagimit në fushën e sigurisë.
Dislokimi i trupave britanike vjen në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në KFOR dhe, sipas misionit të NATO-s, është pjesë e një vendosjeje të planifikuar, pa ndryshuar mandatin apo natyrën e misionit në Kosovë.



