Alarm për virusin e Nilit Perëndimor: 70 raste dhe 9 viktima në Maqedoni

Virusi i Nilit Perëndimor vazhdon të jetë aktiv në Maqedoninë e Veriut. Deri më 22 shtator janë regjistruar 70 raste, prej tyre 65 të konfirmuara dhe 5 të mundshme, ndërsa janë shënuar 9 viktima.

Shumica e rasteve janë në Shkup (63), ndërsa raste janë regjistruar edhe në Veles, Kumanovë, Sveti Nikollë, Kavadarc dhe së fundmi edhe në Tetovë. Vetëm gjatë javës së fundit janë evidentuar 5 raste të reja.

Me uljen e temperaturave pritet të ulet aktiviteti i mushkonjave dhe rreziku i infektimit, por autoritetet theksojnë se transmetimi ende vazhdon.

Sipas OBSH-së, shumica e të infektuarve nuk shfaqin simptoma. Rastet më të rënda mund të prekin sistemin nervor, veçanërisht te personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.

Mbrojtja nga pickimet e mushkonjave, përdorimi i repelentëve, rrjetave mbrojtëse dhe eliminimi i ujërave të ndenjura mbeten masat kryesore parandaluese.