Skandal në Radovish: Shisnin akull me baktere, ujin e merrnin ilegalisht

Dy persona, 62-vjeçarë nga Radovishi, janë arrestuar pasi dyshohet se për vite me radhë prodhonin dhe shisnin akull në kushte të improvizuara dhe johigjienike.

Gjatë kontrolleve në katër lokacione, policia dhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë gjetën makina për prodhimin e akullit, frigoriferë dhe rreth 850 kilogramë akull të paketuar për shitje.

Analizat laboratorike zbuluan E. coli dhe baktere koliforme, duke konstatuar se akulli ishte i pasigurt për konsum dhe potencialisht i dëmshëm për shëndetin. Sipas autoriteteve, uji për prodhim merrej përmes një lidhjeje ilegale në rrjetin e ujësjellësit dhe nuk matej me ujëmatës.

Akulli dhe pajisjet janë sekuestruar, ndërsa ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe vënie në qarkullim të produkteve ushqimore të dëmshme. Në një objekt tjetër të tyre u gjet edhe një pushkë ajrore pa dokumentacion.