Një shpërthim i fuqishëm, që dyshohet se është shkaktuar nga rrjedhja e gazit natyror, ka përfshirë plotësisht një ndërtesë dykatëshe në qendër të Athinës, mëngjesin e sotëm.
Në vendngjarje po zhvillohet një operacion intensiv shpëtimi, ku janë angazhuar edhe qen të trajnuar për kërkim, pasi dyshohet se nën rrënoja mund të ketë persona të bllokuar.
Sipas informacioneve jozyrtare, ekipet po kontrollojnë nëse në momentin e shpërthimit në ndërtesë ndodheshin një çift që jetonte në katin e dytë, si dhe tre turistë të akomoduar përmes Airbnb-së në katin e parë.
Kryetari i Athinës, Haris Dukas, i cili mbërriti menjëherë në vendngjarje, tha se situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe e komplikuar.
Ai konfirmoi se ka persona që figurojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe qentë kërkues po kryejnë kontrolle të detajuara nën rrënoja.
Shpërthimi ndodhi pak pas orës 07:30. Fillimisht, zjarrfikësit u përqendruan në shuarjen e zjarrit dhe ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror, ndërsa më pas nisi operacioni për kërkimin dhe nxjerrjen e personave që mund të kenë mbijetuar.



