Bilall Kasami: Borxhin e komunës e kemi ulur nga 20 në 3 milionë euro

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se borxhi fillestar i komunës prej 15 milionë eurosh, i cili së bashku me kamatë-vonesat kishte arritur në 20 milionë euro, tashmë është zbritur në 3 milionë euro . Ai theksoi se po punohet intensivisht për shlyerjen e kësaj shume të mbetur, me qëllim që komuna të arrijë stabilitet të plotë financiar. Në këtë drejtim, Kasami u bëri thirrje qytetarëve që të paguajnë me rregull tatimin në pronë për vitet 2024/25. Ai nënvizoi se shlyerja e këtyre detyrimeve të prapambetura është një obligim qytetar dhe është e domosdoshme për të shmangur dërgimin e lëndëve të tyre te përmbaruesit.
“Komuna e Tetovësnga një borxh që kishte prej 15 milion euro, së bashku me kamatat e dënimit ai borxh kishte shkuar në 20 milion euro.Tani, atë borxh në përmbarues kemi arritur ta ulim në 3 milion dhe ne punojmë që këto tre million euro që I kemi në përmbarues t`i paguajmë dhe përfundimisht komuna e Tetovës të ketë likuiditet finanicar.Prandaj apeloj që qytetarët që të shlyjenë tatimet në pronë për vitin 2024/25, që të mos jemi të detyruar që të njejtit t`I dërgojmë në përmbarues.Bëhet fjalë për obligime të prapambetura dhe qytetarët do të duhet që të paguajnë sepse është detyrim qytetar”, tha Kasami.

Në pyetjen e gazetarëve se cila është gjendja me borxhet e Komunës, Kasami pohon se është drejt përfundimit të shlyerjes së tyre.

“Në pjesën e pagesës së borxhit të mbetur, tashmë kemi lidhur marrëveshje për pagesë të shtyrë të një pjese të borxhit me Ministrinë e Financave dhe me rreth 4 kompani, ku bën pjesë edhe pjesa më e madhe e borxhit. Mbeten edhe rreth 3 milionë (denarë) të cilët do të realizohen përmes përmbaruesve, ndërsa ne po punojmë që ky borxh të paguhet në 2 deri në 3 muajt e ardhshëm, me qëllim që Komuna e Tetovës përfundimisht të dalë nga bllokada e përmbaruesve“, theksoi Kasami.

Rikujtojmë se Bilall Kasami, komunën e Tetovës e trashëgoi me një borxh prej 24 milion euro nga paraardhësja e tij Teuta Arifi. Kasami është kryetar i Komunës së Tetovës nga 4 nëntori i vitit 2021.