Nga 1 nëntori 2026, qytetarët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Turqisë do të kenë nevojë për vizë për të hyrë, tranzituar apo qëndruar në Mal të Zi.
Vendimi është pjesë e harmonizimit të politikës së vizave të Malit të Zi me legjislacionin dhe praktikat e Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Qeveria malazeze miratoi më 23 korrik ndryshimet në regjimin e vizave, duke parashikuar heqjen e regjimit të deritanishëm pa viza për shtetasit e këtyre tri vendeve.
Autoritetet do të nisin gjithashtu procedurat për ndërprerjen e marrëveshjeve ekzistuese ndërkombëtare që mundësonin udhëtimin pa viza.
Për Turqinë parashikohet një përjashtim i mundshëm për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale. Mali i Zi synon të lidhë një marrëveshje të re dypalëshe për të ruajtur regjimin pa viza për këto kategori, në përputhje me rregullat e BE-së.



