Akullore dhe akull jashtë standardeve – kontrollet sjellin mbi 19 mijë euro gjoba

Kontrollet e jashtëzakonshme në objektet që prodhojnë dhe shesin akullore e akull kanë zbuluar një sërë parregullsish. Janë shqiptuar 45 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 19.430 eurosh, ndërsa mbi 200 litra/kilogramë produkte janë asgjësuar si të pasigurta.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, nga fillimi i korrikut deri në fund të gushtit, ka kryer 560 kontrolle te prodhuesit dhe objektet hotelierike që prodhojnë akullore dhe akull.

Për shkak të parregullsive janë lëshuar 140 vendime, ndërsa 202 litra/kilogramë akullore dhe akull janë asgjësuar.

Inspektorët konstatuan se 17 operatorë nuk ishin të regjistruar për veprimtari me ushqim, ndërsa te 64 të tjerë mungonin analizat e nevojshme laboratorike. Te 20 operatorë u evidentuan mangësi në etiketimin e produkteve.

Probleme janë konstatuar edhe me higjienën dhe sigurinë e punonjësve. Në 10 raste, punonjësit nuk kishin kryer kontrollet e detyrueshme shëndetësore, ndërsa në pesë objekte kushtet higjienike dhe teknike nuk përmbushnin standardet.

Gjithashtu, 19 operatorë nuk kishin procedurat e nevojshme për praktikat e mira të prodhimit dhe higjienës, përfshirë pastrimin e pajisjeve për prodhimin e akullit.

Nga Agjencia bëjnë të ditur se kontrollet janë realizuar në përputhje me Ligjin për Sigurinë e Ushqimit.