Debat i ashpër është zhvilluar në Kuvend mes deputetes së BDI-së, Rina Ajdari, dhe ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me qëndrimin e këtij të fundit për procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ajdari kërkoi nga ministri të sqarojë publikisht qëndrimin e tij, duke e pyetur përse nuk deklaron hapur se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se ish-krerët e saj janë të pafajshëm.
“Pse nuk mund të thoni qartë se lufta ka qenë e drejtë dhe liderët e saj janë të pafajshëm?”, pyeti Ajdari, duke e akuzuar ministrin se po fshihet pas formulimeve burokratike dhe procedurës së ankesës.
Shasivari i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se deklarata e tij është shtrembëruar dhe po përdoret për manipulim politik.
Ai sqaroi se qëndrimin e kishte bërë publik para shpalljes së aktgjykimit dhe se kishte folur për respektimin e procedurave juridike dhe të drejtën e palëve për ankesë.
“Të thuash se një vendim duhet të respektohet nuk do të thotë se pajtohesh me të”, deklaroi Shasivari.
Ministri theksoi se palët kanë të drejtën e ankimit dhe se gjatë procesit duhet të respektohen si të drejtat e të akuzuarve, ashtu edhe ato të personave që pretendojnë se kanë qenë viktima, pavarësisht përkatësisë etnike.
Përplasja Ajdari–Shasivari e solli kështu debatin për procesin e Hagës edhe në Kuvend, me akuza për shtrembërim të deklaratave dhe shfrytëzim politik të çështjes.



