Pesë raste të reja me ethe të Nilit Perëndimor janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut gjatë javës së fundit, ndërsa për herë të parë sëmundja është konfirmuar edhe në Tetovë.
Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), nga 16 deri më 22 shtator janë evidentuar tri raste të reja në Shkup dhe nga një në Veles dhe Tetovë.
Që nga fillimi i epidemisë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 70, prej të cilëve 63 janë nga Shkupi, tre nga Velesi dhe nga një rast është regjistruar në Kumanovë, Sveti Nikollë, Kavadar dhe Tetovë.
Në 68 raste është zhvilluar forma neuroinvazive e sëmundjes dhe pacientët janë hospitalizuar. Deri më 22 shtator, 50 pacientë janë lëshuar nga spitali, nëntë vazhdojnë trajtimin, ndërsa nëntë persona kanë humbur jetën.
ISHP rikujton se nuk ekziston terapi specifike antivirale kundër etheve të Nilit Perëndimor. Mbrojtja kryesore mbetet shmangia e pickimit nga mushkonjat, përdorimi i repelentëve dhe eliminimi i ujërave të ndenjura pranë banesave.
Personat që pas pickimit nga mushkonjat shfaqin temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, ngurtësim të qafës, konfuzion ose dobësi të gjymtyrëve duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore.



