Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se Konsullata e Përgjithshme në Strugë është mbyllur, ndërsa shërbimet konsullore për qytetarët do të ofrohen nga Ambasada në Shkup.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në bazë të dekretit të Presidentes së Kosovës dhe vendimit përkatës të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Mbyllja lidhet me vlerësimin e veprimtarisë së misionit konsullor dhe synimin për optimizimin e resurseve institucionale.
Pavarësisht mbylljes së Konsullatës së Përgjithshme, Kosova do të vazhdojë të ketë prani në Strugë përmes zyrës së Konsullit të Nderit, i cili mbulon këtë zonë konsullore.
Ambasada e Kosovës në Shkup, krahas veprimtarisë diplomatike, do të vazhdojë ofrimin e shërbimeve konsullore për shtetasit e Kosovës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.



