Lirohet nga paraburgimi në Beograd, Osman Selmani

Osman Selmani, i arrestuar nga autoritetet serbe në korrik të këtij viti, është liruar nga paraburgimi në Beograd. Lajmin për lirimin e tij e ka bërë të ditur vajza e tij, Florie Selmani, përmes një postimi në Facebook.

“Me shumë gëzim dhe falënderim ndaj Zotit, ju njoftojmë se sot, më 21.09.2026, babai ynë, Osman Selmani, është liruar nga paraburgimi në Beograd”, ka shkruar ajo.

Selmani ka bërë të ditur se familja është takuar me të në pikën kufitare në Merdare.

“Sapo u takuam me babanë tonë në pikën kufitare në Merdare. Pas kaq shumë ditësh ankthi, malli dhe pritjeje, ky është një nga momentet më të lumtura për familjen tonë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur familjen gjatë kësaj periudhe.

Osman Selmani ishte arrestuar më 1 korrik nga policia serbe në pikëkalimin kufitar në Mutivodë, gjatë kthimit nga vendlindja e tij, dhe më pas ishte dërguar në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd.

Autoritetet serbe e kishin arrestuar nën pretendimet për “krime lufte”, ndërsa Gjykata e Lartë në Serbi i kishte caktuar 30 ditë paraburgim.

Familjarët e tij i kishin hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe të rreme. Djali i tij, Arben Selmani, kishte deklaruar për RTK-në se babai i tij nuk kishte qenë ushtar i UÇK-së dhe nuk kishte pasur lidhje me vrasjen për të cilën akuzohej.

Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kishte dënuar arrestimin, duke kundërshtuar lidhjen e rastit me UÇK-në pa bazë faktike apo ligjore.