Juristi amerikan: Gjykata Speciale u krijua për qëllime politike, duhet të shpërbëhet

Juristi amerikan dhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale të Kosovës pas aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një intervistë, Williams, i cili dëshmoi në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë, tha se në UÇK nuk ekzistonte një strukturë tradicionale komandimi dhe kontrolli dhe e cilësoi zbatimin e përgjegjësisë komanduese si, sipas tij, „shtrembërim të madh të së drejtës“.

Ai kritikoi edhe mënyrën e krijimit të Gjykatës Speciale, duke pretenduar se ajo është fokusuar te krimet e pretenduara të UÇK-së, ndërsa nuk ka hetuar në të njëjtën mënyrë krimet e kryera nga regjimi serb dhe forcat paramilitare.

Williams paralajmëroi se perceptimi se drejtësia ndërkombëtare mund të ndikohet politikisht mund të dëmtojë besimin në mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës të shqyrtojë shpërbërjen e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një institucion që, sipas tij, nuk ka sjellë drejtësi për viktimat dhe nuk ka kontribuar në sigurinë rajonale.