Specialja: Të katërt penalisht përgjegjës për krime lufte
Gjykata Speciale ka thënë se të katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pasur qëllim të përbashkët kriminal, kanë dhënë kontribut të qenësishëm në realizimin e tij dhe synuan krimet përkatëse.
Trupi gjykues: Krasniqi ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal
Trupi gjykues konstatoi se Jakup Krasniqi dha kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në zbatimin e politikës së shënjestrimit të personave të konsideruar kundërshtarë.
Sipas gjykatësit Charles Smith, përmes publikimit të komunikatave, deklaratave politike dhe urdhrave, Krasniqi inkurajoi kryerjen e krimeve kundër personave të konsideruar kundërshtarë.
Trupi gjykues: Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve
Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, luajti rol thelbësor në krijimin e zonave operative, të cilat i inspektonte rregullisht.
Ai gjithashtu merrte raporte të shpeshta për persona të dyshuar dhe të konsideruar kundërshtarë.
Trupi gjykues konstatoi se Selimi ishte në dijeni se njësi të UÇK-së po shënjestronin persona të caktuar.
Specialja thotë se Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal
Trupi gjykues konstatoi se Kadri Veseli dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në realizimin e tij. Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli veproi së bashku me të akuzuarit e tjerë në zbatimin e këtij qëllimi.
Sipas trupit gjykues, Kadri Veseli ishte shef i Drejtorisë së ZKZ-së, e cila në përgjegjësi kishte identifikimin, sigurimin e informacionit, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave që mendohej se ishin kolaboracionistë.
Sipas Smith, Drejtoria e Zbulimit ishte një prej mjeteve kryesore përmes të cilave u zbatua qëllimi i përbashkët kriminal dhe Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.
“Veseli, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona kyç në pozita për të jetësuar qëllimin e përbashkët. Veseli mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve. Ai u përfshi në procesin e identifikimit dhe shënjestrimit të kundërshtarëve, shumë prej të cilëve edhe u vranë. U mor personalisht me arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit, si dhe me arrestimin, ndalimin dhe lirimin e një të ndaluari tjetër nga UÇK-ja. Veseli kishte dijeni për krimet e kryera kundër kundërshtarëve dhe, me gjithë dijeninë që kishte, nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve”, ka thënë ai.
Specialja: Thaçi dha kontribut në qëllimin kriminal të përbashkët
Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët. Konstatoi se Thaçi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Drejtorisë Politike, ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.
Sipas trupit gjykues, Drejtoria Politike kishte kompetencë pothuajse ekskluzive mbi vendimet politike të UÇK-së dhe Thaçi kërkoi vizionin politik të UÇK-së, të cilin e shprehu publikisht. Këtu përfshihet shënjestrimi i kolaboracionistëve, krijimi i strukturave dhe organeve kompetente dhe rregulloreve për këtë qëllim, si dhe përdorimi i luftës speciale për këtë qëllim dhe kundër kundërshtarëve, përmes komunikatave dhe deklaratave të tjera publike.
Trupi gjykues ka thënë se Thaçi, me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona besnikë në pika kyçe komanduese, në mënyrë që të kishte kontroll mbi UÇK-në dhe të sigurohej që ajo të respektohej deri në nivelet më të ulëta të hierarkisë.
“Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Përmes deklaratave dhe komunikatave, si dhe përdorimit të luftës speciale, Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Bajicë, si dhe në arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit. Ai kishte dijeni edhe për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë”, ka thënë trupi gjykues.
Specialja: Të akuzuarit vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal
Gjykata Speciale ka konstatuar se katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin strategji për eliminimin e njerëzve që i shihnin si pengesë, përfshirë këtu anëtarë të forcave të tjera politike dhe ushtarake.
Edhe pse u tha se përgjegjësia është individuale, Gjykata ka konstatuar se ata kanë pasur marrëveshje “për qëllim të përbashkët kriminal”.
Aty është përmendur edhe shënjestrimi i anëtarëve të LDK-së dhe të FARK-ut.
“Trupi gjykues konstatoi se katër të akuzuarit dhe personat e tjerë në udhëheqjen e UÇK-së së kishin dy objektiva: Pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë për një Kosovë të pavarur. Këto pretendime synoheshin që të realizoheshin me anë të mjeteve ushtarake, politike e të tjera. Trupi gjykues nuk e gjykoi të nevojshme nëse se këto dy objektiva ishin në vetëvete kriminale apo të paligjshme. Katër të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të NPK-së kishin të njëjtin qëndrim se elementet kyçe dhe mjete të strategjisë për realizimin e qëllimeve të udhëheqjes së UÇK-së ishte shenjëstrimi, eliminimi dhe neutralizimi i disa personave të cilët konsideroheshin si pengesë për qëllimet e tyre”, ka thënë Smithi.
Trupi gjykues: U vërtetuan trajtimi mizor dhe tortura
Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj 303 personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.
Trupi gjykues: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave
Gjykata Speciale ka konstatuar se ka pasur krim të luftës, në pikën e akuzës së arrestimit dhe të ndalimit të paligjshëm ndaj 385 personave.
“sa i përket pikës “Arrestim ose ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trupi gjykues ka konstatuar se midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, së paku 385 personave iu hoq arbitrarisht liria nga anëtarë të UÇK-së në disa qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
“Ato u arrestuan nga anëtarë të UÇK-së dhe policia ushtarake. Ata u ndaluan me akuzat që ishin kolaboracionist, spiunë, tradhtarë”, ka thënë Smithi. “Nuk ka prova të besueshme se personat që ishin të ndaluar ishin kolaboracionist, tradhëtar ose spiunë ashtu sic kishin pretenduar UÇK-ja”.
“Trupi gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilat viktimat u ndaluan dhe u arrestuan pa dhënë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe duke iu mohuar çdo formë e gjykimi të rregullt, tregojnë se disa prej anëtarëve të përfshirë synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt”, ka thënë Smithi.
Po ashtu është konstatuar se 348 persona u trajtuan mizorisht dhe nga ta 303 u torturuan.
Specialja: S’pati krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së
Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së.
“Lidhur me ekzistencën e nja sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit Trupi gjykues Konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
“Ndonëse ekzistonte një politikë ose plan për personat që konsideroheshin kundërshtarë, viktimat u zgjodhën vetëm duke u bazuar në faktorin individual dhe jo bazuar në përkatësinë e tyre në një popullatë civile të shenjës truar. Trupi gjykues nuk është i bindur se personat e shenjestruar nga anëtarët e UÇK-së në këtë çështje gjyqësore mund të konsiderohen si popullatë civile”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, trupi gjykues ka thënë se incidentet që filluan pas 20 qershorit 1999 mbi të cilat ka pasur akuza për krime lufte nuk mund të cilësohen si krime lufte.
Smith: Çështja s’ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me të akuzuarit
Kryetari i trupit gjykues në Gjykatën Speciale, Charles Smith III, në fjalën hyrëse para vendimit ka thënë se çështja s’ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vetëm me akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarit.
“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve. Çështja ka të bëjë vetëm me faktet dhe rrethanat që lidhen me akuzat kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore. Kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur. Nuk ka të bëjë me vlerësimin e veprimeve të njërës palë kundër palës tjetër. Nuk ka të bëjë me krimet që padyshim forcat dhe paramilitarët serbë kryen kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo çështje ka të bëjë vetëm me atë se a janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe a mund të mbahen përgjegjës të akuzuarit për ato”, ka thënë ai.
Kryetari i trupit gjykues ka thënë se gjykimi u zhvillua nën një atmosferë frikësuese ndaj dëshmitarëve. Sipas Smithit, disa dëshmitarë nga frika ndryshuan dëshmitë, gënjyen trupin gjykues e disa e bën këtë nga besnikëria. Sipas tij, disa nga dëshmitarët përkundër këtyre sfidave u përgjigjën për ngjarjet që dinin.
Ai ka thënë se gjatë gjykimit u morën provat e 273 dëshmitarëve me shkrim dhe me gojë, 5467 prova materiale u pranuan si dhe transkriptat në këtë çështje gjyqësore shkuan në mbi 28 mijë.
Ora 10, nis seanca
Ora është bërë 10:00 dhe tashmë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për shkak të vonesës prej 10 minutash në transmetimin publik, pamjet nga salla e gjyqit pritet të bëhen të qasshme nga ora 10:10.
LIVE:













