Erdhi si refugjat, nisi si enlarës, sot bëhet pronar i një hoteli historik në Zvicër

Luan Sallahi, me prejardhje nga Kosova, erdhi në Zvicër si fëmijë gjatë viteve të 90-ta. Sot, në moshën 43-vjeçare, ai po zgjeron aktivitetin e tij në gastronomi duke marrë në pronësi Hotelin dhe Restaurantin historik Engel në Wädenswil.

Një rrugëtim që nisi si refugjat në Zvicër dhe me punën e parë si larës enësh, tashmë e ka çuar sipërmarrësin kosovo-shqiptar Luan Sallahi drejt një prej investimeve të tij më të rëndësishme, shkruan albinfo.ch.

Sallahi ka blerë kompaninë Hotel Engel AG në Wädenswil, duke marrë përsipër pronësinë e hotelit dhe restorantit të njohur në këtë qytet. Pronarët e mëparshëm, Peter Kleb dhe Andreas Geiger, kishin nisur kërkimin për një pasardhës rreth një vit e gjysmë më parë, me kushtin që objekti të vazhdonte të funksiononte si hotel dhe restorant.
Për Sallahin, marrja e një objekti me histori të gjatë është një përgjegjësi e veçantë. Hoteli Engel përmendet për herë të parë që nga mesi i shekullit XVII dhe përveç hotelit me dhjetë dhoma, përfshin restorantin, barin dhe hapësira të tjera gastronomike.

“Është bukur të marrësh përsipër diçka historike”, ka thënë Sallahi për gazetën zvicerane tagesanzeiger.ch, i cili më parë kishte blerë edhe restorantin mbi 100-vjeçar Johanniters në Niederdorf të Cyrihut.

Nga Kosova në Zvicër

Luan Sallahi u largua nga Kosova në vitin 1992, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, dhe u rrit në Monthey të kantonit Valais. Rreth 20 vjet më parë nisi punën në Zvicrën gjermanofolëse, në restorantin Tracht në Rüschlikon, ku punoi si larës enësh, shkruan tutje albinfo.ch.

Më pas u bë sipërmarrës. Fillimisht themeloi një kompani të ndërmjetësimit të punës, ndërsa më vonë hyri edhe në sektorin e kujdesit dhe shërbimeve Spitex. Investimet në gastronomi përbëjnë tashmë një tjetër kapitull të karrierës së tij.

“Kam ecur përpara me shumë punë, fat dhe duke i pasur mundësitë e duhura në momentin e duhur”, ka deklaruar ai, duke theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunëtorëve dhe partnerëve të mirë në këtë rrugëtim.

Por, sipas tij, suksesi nuk matet vetëm me rritjen dhe fitimin. Sallahi dëshiron që bizneset e tij të kenë ndikim në rajon, të ofrojnë vende për praktikantë dhe të përcjellin njohuri te gjeneratat e reja.

“Kam ardhur në Zvicër si refugjat dhe dua t’i kthej diçka këtij vendi”, shprehet ai.

Nga janari i vitit 2027, Sallahi pritet të jetë edhe më i përfshirë në mënyrë operative në Hotel Engel, ndërsa deri në fund të vitit biznesi do të vazhdojë të drejtohet nga pronarët e mëparshëm dhe drejtori afatgjatë Ilidio Ramires.

Historia e Luan Sallahit është një tjetër shembull i rrugëtimit të një emigranti që nisi nga puna më e thjeshtë dhe, përmes punës, sipërmarrjes dhe investimeve, arriti të bëhet pronar i një prej objekteve historike të gastronomisë në Zvicër./Albinfo.ch