Studentët në Serbi dorëzojnë listën zgjedhore me mijëra nënshkrime; Vuçiq: “Listë nga e cila të gjithë turpërohen”

Mijëra qytetarë iu bashkuan të hënën studentëve në një marsh protestues në qendër të Beogradit, i cili përfundoi para selisë së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, ku u dorëzua lista zgjedhore e lëvizjes studentore “Studentët fitojnë”.

Marshi, i quajtur “Ecja e fituesve”, nisi nga Rektorati. Pjesëmarrësit mbanin një pankartë të madhe me mbishkrimin “Studentët fitojnë”, kuti me nënshkrimet e mbledhura në mbështetje të listës, si dhe një maket të monumentit “Fitimtari” të Ivan Meštroviqit, një prej simboleve të Beogradit që ndodhet në Kalemegdan.

Marshimin e priu një grup i madh motoçiklistësh, ndërsa pas tyre marshuan qytetarë me flamuj shtetërorë dhe mesazhe si “Liria nuk ka çmim”, si dhe flamuj të fakulteteve, shkollave të mesme dhe tubimeve qytetare. Gjatë protestës u dëgjuan thirrjet “Pompo”, “Studentët fitojnë” dhe “Fitore, fitore”. Kolona për rreth gjysmë ore kaloi nëpër qendrën e kryeqytetit serb deri te selia e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve.

Mbledhja e nënshkrimeve për listën studentore u shoqërua me probleme gjatë noterizimit. Pavarësisht paralajmërimeve të mëhershme, nuk u sigurua numër i mjaftueshëm noterësh, për çka mijëra qytetarë në Beograd dhe në mbarë Serbinë pritën me orë të tëra në radhë gjatë fundjavës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pak para dorëzimit të listës, publikoi një video në Instagram, duke e cilësuar listën studentore si “pa emër”, “pa program dhe plane” dhe si “një listë nga e cila të gjithë turpërohen”.

“Paramendoni dhjetëra mijëra njerëz që shkojnë për ta nënshkruar listën, ndërsa nuk kanë asnjë ide se çfarë po nënshkruajnë dhe nuk e dinë se kush është në listë”, deklaroi Vuçiq, duke u bërë thirrje qytetarëve të mendojnë se si duan të duket Serbia dhe kush do të kujdeset për shtetin pas zgjedhjeve.