Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka paralajmëruar për protesta të mëdha më 16 shtator, kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ambasada, përmes një komunikate për media, ka thënë se këto paralajmërime janë bërë nga disa organizata dhe se protestat do të mbahen në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
“Këto protesta mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha të njerëzve, bllokime të rrugëve dhe pengesa të mëdha në komunikacion. Këshillohet që të kufizohet udhëtimi vetëm në zonën e afërt të vendbanimit dhe të shmanget udhëtimi drejt vendeve të punës dhe shkollave, nëse rruga kalon nëpër zonat e prekura, pasi mund të mos jetë e mundur të arrihet në destinacion brenda një kohe të arsyeshme”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, theksohet se personelit të Qeverisë së SHBA-së i është rekomanduar të shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të protestave.
“Gjithashtu, atyre u është rekomanduar të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së pengesave të mëdha në trafik. Ambasada e SHBA-së do të jetë e hapur, ndërsa shërbimet konsullore do të ofrohen në masë të kufizuar dhe sipas nevojës”.
Albanian Post raportoi gjatë javës së kaluar se edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, dhe misioni i sundimit të ligjit, EULEX-i, janë duke ndërmarrë masa shtesë të sigurisë për 16 shtatorin.
Të dyja misionet e kanë konfirmuar këtë për Albanian Post.
Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për një plan operativ për ditën e mërkurë.



