Mickoski kërkon të respektohet himni i shtetit, bën thirrje të intonohet edhe në komunat tjera

Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon të respektohet intonimi i himnit nëpër shkolla dhe gjithashtu u bën thirrje edhe komunave të tjera të ndjekin rrugën e komunës së Gazi Babës, e cila së fundmi mori vendim që çdo të hënë para fillimit të mësimit, nxënësit të intonojnë himnin shtetëror. I pyetur nëse do të paraqiste problem që në komunat shqiptare të merret vendim të intonohet himni shqiptar, Mickoski thotë se nuk është kundër kësaj por si kusht, kjo të bëhet bashkë me intonimin e himnit të shtetit.
“Ka ligj si e rregullon këtë dhe sipas ligjit, mund të intonohet himni i një shteti tjetër nëse intonohet dhe himni i shtetit. Himni i shtetit sipas ligjit intonohet me këndim ose dëgjim. Pra kjo është e rregulluar me ligj dhe Kushtetutë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Unë iu bëj thirrje të gjitha komunave pa dallim dimensioneve etnike të respektojnë dhe intonojnë himnin e shtetit nëpër shkolla. Pra nëse respektohet ligji nuk duhet të ketë asnjë problem”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Edhe pse u pyet dy herë, kryeministri Mickoski refuzoi të përgjigjet për paralajmërimet e VLEN-it se himni dhe stema e shtetit duhet të pësojë ndryshime. Partia VLEN në kapitullin e parë ku flitet për barazinë kombëtare dhe Marrëveshjen e Ohrit, në program kanë paraparë dhe kanë premtuar se përdorimi i himnit, stemës, flamurit kombëtar shqiptar në shkollat e në institucionet do të gëzojnë të drejtën e barabartë ligjore me atë të maqedonasve. Megjithatë pasi u formua kjo përbërje qeveritare, një temë e tillë nuk është hapur asnjëherë dhe nuk është diskutuar.

Këshilli i komunës së Gazi Babës së fundmi mori vendim që çdo të hënë nxënësit filloristë të intonojnë himnin e shtetit para se të fillojnë me orët mësimore. E vetmja këshilltare që publikisht u shpreh kundër këtij vendimi ishte këshilltarja e Aleancës për Shqiptarët e cila këtë vendim e cilësoi si mbulim të dështimeve në arsim në komunën e Gazi Babës.

Vendime të tilla për intonim të himnit në shkolla ka patur edhe më herët në komuna të tjera sikurse në Aerodrom, Butel dhe Veles. Në vitin 2024 gjithashtu Ministria e Arsimit propozoi ligj për arsimin e mesëm ku parashikohej intonimi i himnit shtetëror në çdo fillim dhe mbarim të vitit shkollor por më pas e tërhoq pas kundërshtimit të ashpër të partive shqiptare në Kuvend./Alsat.mk