VMRO shpërthen ndaj “Supremes”: “16 viktima dhe askush përgjegjës”

VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Gjykatës Supreme për rastin e Laskarci dhe ish-kryetarin e Karposhit, Stevço Jakimovski.

Partia në pushtet pretendon se vendimet e fundit tregojnë se ndikimi i strukturave të LSDM-së dhe BDI-së në sistemin gjyqësor ende vazhdon.

Në fokus të reagimit është rasti i aksidentit të autobusit në Laskarci, ku humbën jetën 16 persona. Gjykata Supreme ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe e ka kthyer lëndën për procedim të mëtejshëm.

VMRO-DPMNE e ka cilësuar vendimin si shqetësues, duke e lidhur atë edhe me rastin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë.

Partia ka kritikuar edhe vendimin për Stevço Jakimovskin, për të cilin Gjykata Supreme ka shfuqizuar aktgjykimet e mëparshme dhe e ka kthyer lëndën për rigjykim.

“Gjykata Supreme e Afrim Fidanit i sjell turp drejtësisë në Maqedoni”, deklaroi VMRO-DPMNE, duke pretenduar se strukturat e LSDM-së dhe BDI-së ende kanë ndikim në drejtësi.

Pretendimet për ndikim politik janë qëndrime të VMRO-DPMNE-së dhe nuk përbëjnë konstatim të Gjykatës Supreme apo të ndonjë institucioni tjetër gjyqësor.