Autoritetet bullgare kanë bllokuar një ngarkesë prej 9.502 kilogramësh speca nga Maqedonia e Veriut, pasi gjatë kontrolleve janë konstatuar nivele të rritura të mbetjeve të pesticideve.
Agjencia Bullgare për Sigurinë Ushqimore ka vendosur që ngarkesa të mos lejohet të hyjë në tregun e Bashkimit Evropian. Specat pritet të dërgohen për asgjësim, ndërsa rasti është evidentuar në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për frutat dhe perimet e freskëta që importohen në tregun bullgar.
Sipas të dhënave të autoriteteve bullgare, kjo nuk është ngarkesa e vetme e bllokuar nga Maqedonia e Veriut. Deri tani janë ndaluar dy ngarkesa me speca, me një peshë totale që tejkalon 21 tonë, për shkak të shkeljeve të kërkesave për sigurinë ushqimore.
Kontrollet kanë prekur edhe produkte nga vende të tjera. Në të njëjtën periudhë, autoritetet bullgare kanë ndaluar një ngarkesë prej 19.200 kilogramësh rrush nga Turqia, e cila do të rikthehet në vendin e origjinës.
Autoritetet në Bullgari kanë paralajmëruar se kontrollet e shtuara ndaj frutave dhe perimeve të freskëta do të vazhdojnë, me fokus të veçantë te respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore dhe nivelet e lejuara të pesticideve.





