Duka: Gjendja me COVID-19 është alarmante sepse nuk po respektohen rekomandimet për mbrojtje

Numrat zyrtarë të infektuarve të rinj tregojnë se gjendja epidemiologjike, si në komunën e Dibrës, ashtu edhe në nivel të shtetit është shumë serioze dhe alarmante. Javën e kaluar në komunën tonë ishin marrë 16 mostra dhe prej tyre tetë janë pozitivë në virus, përderisa prej 9 testeve në kopshtin e fëmijëve ende nuk ka rezultate, deklaroi në konferencën e sotme për media kryetari i Dibrës, Hekuran Duka.

Ai vlerësoi se kjo është pasojë e masave të lehtësuara dhe mosrespektimit të rekomandimeve për mbrojtje nga ana e qytetarëve.

“Iu bëjmë thirrje qytetarëve që gjendjen ta kuptojnë seriozisht se Kovid-19 në qytetin tonë është i pranishëm. Sipas vlerësimit të ekspertëve pritet që të ketë valë të re më të theksuar me raste të reja të të infektuarve me Kovid-19. Spitali i përgjithshëm duhet të jetë maksimalisht i përgatitur për gjendje të re eventuale”, tha Duka.

Ai informoi se janë dakorduar masa dhe aktivitete të cilat do t’i ndërmarrë shtabi komunal. Mes tjerash do të bëhet dezinfektim i sërishëm i rrugëve dhe objekteve në qytet dhe fshatrat tjera në Komunë, përveç fshatrat Kosovrast i Poshtëm dhe i Epërm, ku tashmë është bërë dezinfektimi i dytë pas rastit të konfirmuar të gruas së infektuar nga fshati Kosovrast i Poshtëm më 5 maj.

“Do të realizohet fushatë edukative me ngjitjen e bilbordeve rreth masave parandaluese për mbrojtje si në qendër të qytetit, ashtu edhe në objektet afariste. Gjithashtu, iu bëjmë thirrje inspektoratit sanitar dhe të tregut që të jenë sa më aktivë dhe më rigorozë në ndërmarrjen e masave për atë se sa respektojnë protokollet e shënuara të gjitha subjektet afariste dhe institucionet shtetërore. Vetëm pas një xhiroje të vogël nëpër qytet do të shihet se në markete numri më i madh i qytetarëve nuk i respektojnë rregullta e sjelljes, ndërsa para marketeve dhe institucioneve nuk ka persona që ta mbajnë rendin”, theksoi Duka.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot, gjatë 24 orëve të fundit në Dibër nuk ka të infektuar të rinj me virusin korona. Numri mbetet 61, prej tyre 47 janë shëruar, katër kanë ndërruar jetë, ndërsa ka edhe 10 raste aktive. Në vetizolim janë 41 persona./MIA