Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër është modernizuar me një investim prej 2.7 milionë eurosh, duke sjellë kushte dhe shërbime më të mira për pasagjerët. Terminali është rikonstruktuar me më shumë sportele, hapësira më të mëdha për check-in dhe kontrollet e sigurisë, ndërsa është riorganizuar edhe parkingu. Në aeroport janë vendosur gjithashtu pajisje dhe teknologji moderne. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se aeroporti po shënon rekorde të reja të numrit të pasagjerëve, duke përmendur një ditë me mbi 3.000 udhëtarë dhe mbi 20 fluturime. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, bëri të ditur se vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit aeroporti i Ohrit ka shërbyer mbi 240 mijë pasagjerë. Sipas drejtorit ekzekutiv të TAV Maqedoni, Serkan Kaptan, investimi është realizuar pa ndërprerë funksionimin e aeroportit, ndërsa deri tani në aeroportet e vendit janë investuar rreth 300 milionë euro.
Maqedoni Aeroporti i Ohrit merr pamje të re, investohen 2.7 milionë euro





