Grubi dhe të tjerët mohojnë fajësinë, gjykata shtyn seancën: “Nuk e kuptoj aktakuzën”

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe të akuzuarit e tjerë në rastin “Lotaria Shtetërore” janë deklaruar të pafajshëm në seancën e sotme gjyqësore.

Grubi, i pyetur nga gjykata nëse e pranon fajësinë, u përgjigj shkurt: “Nuk ndihem fajtor.”

Seanca u ndërpre pasi i akuzuari Bashkim Avdiu kërkoi që aktakuza t’i dorëzohet në gjuhën shqipe, duke deklaruar se nuk e kupton përmbajtjen e akuzës ndaj tij. Gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski më pas e shtyu seancën, ndërsa vazhdimi u caktua për të premten.

Dëm prej mbi 596 milionë denarësh

Prokuroria, e përfaqësuar nga prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, i akuzon të pandehurit për veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare dhe i kanë shkaktuar “Lotarisë Shtetërore” dëm prej 596.125.511 denarësh, ose rreth 9.7 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, Grubi akuzohet se, në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë, kishte kryesuar një seancë qeveritare ku ishte marrë vendim për furnizimin me video-lojëra të fatit, ndonëse “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë t’i organizonte ato.

Prokuroria pretendon se kjo i ka shkaktuar institucionit dëm prej rreth 5 milionë eurosh, pasi e drejta për organizimin e këtyre lojërave i ishte dhënë më herët kompanisë “Videolottery Casinos Austria”.

Në proces janë paralajmëruar 231 prova materiale, ekspertiza dhe dëgjimi i shtatë dëshmitarëve.

Përveç Grubit dhe ish-drejtorit të “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, i cili po gjykohet në mungesë, të akuzuar janë edhe Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.

Të gjithë të pranishmit u deklaruan se nuk ndihen fajtorë, ndërsa Bajrami nuk ishte i pranishëm për t’u deklaruar.

Grubi ishte arrestuar në shkurt të këtij viti në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se 14 muajsh në arrati. Pas marrjes në pyetje në Prokurori, në vend të paraburgimit iu caktua arrest shtëpie.