Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka përcjellë nga Shkupi një mesazh të veçantë në përkujtim të Nënë Terezës, duke vënë në pah rrënjët e saj shqiptare dhe misionin universal që ajo la pas.
Më 5 shtator, në Ditën e Shenjtërimit të Shën Terezës Shqiptare dhe në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, ambasadori Meidani kujtoi figurën e Gonxhe Bojaxhiut, e lindur në Shkup më 26 gusht 1910, në një familje katolike shqiptare.
Në mesazhin e tij, Meidani e cilëson Nënë Terezën si një figurë që arriti të lidhë krenarinë kombëtare shqiptare me një mision që kapërceu kufijtë e kombit, fesë dhe vendit.
“Rrallëherë një jetë e vetme arrin ta lidhë kaq përjetësisht krenarinë e një kombi me ndërgjegjen e mbarë njerëzimit.”
Ambasadori thekson se Gonxhe Bojaxhiu e mori me vete identitetin, besimin dhe forcën e prejardhjes së saj shqiptare, ndërsa misionin e saj humanitar e shtriu në të gjithë botën.
Sipas tij, shembulli i Nënë Terezës dëshmon se shenjtëria nuk qëndron në largimin nga problemet e njerëzimit, por në afërsinë me njeriun, dhimbjen dhe nevojat e tij.
“Edhe nga një vend i vogël mund të lindë një dritë që ndriçon botën”
Meidani e cilëson Nënë Terezën si “një krenari të rrallë”, duke nënvizuar se nga Shkupi, një qytet në zemër të Ballkanit, lindi një figurë që do të bëhej simbol botëror i bamirësisë dhe përkushtimit ndaj të varfërve.
“Gonxhe për ne. Nënë Tereza për botën. Shenjtore për njerëzimin”, shkruan ambasadori në mesazhin e tij.
Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës në qendër të Shkupit mbetet një nga vendet më të rëndësishme të kujtesës për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ajo ruan kujtimin e vendlindjes dhe të rrënjëve të një gruaje që, nga Shkupi, u shndërrua në një nga figurat më të njohura humanitare të shekullit XX.
Vizita e Nënë Terezës në Shqipëri në vitin 1989, ende gjatë regjimit komunist, u pasua nga hapja e misionit të parë të Misionareve të Bamirësisë në Tiranë më 4 mars 1991, e më vonë edhe në Shkodër.
Sot, figura e saj vazhdon të bashkojë kujtesën shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut me përmasën universale të Nënë Terezës, duke e kthyer 5 shtatorin në një ditë të veçantë për shqiptarët dhe për njerëzit që e shohin atë si simbol të bamirësisë.





