Tekstet shkollore në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje të forta për mënyrën se si trajtohen shqiptarët dhe historia e tyre.
Një tjetër rast problematik është evidentuar në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë, të autorit maqedonas, profesor Bllagoja Markovski, botim i vitit 2025. Në këtë tekst, nxënësit shqiptarë përballen me formulime që ngjallin dyshime për saktësinë dhe profesionalizmin e përmbajtjes.
Nëse bëhet fjalë për gabime profesionale apo për një qasje të qëllimshme, mbetet për t’u sqaruar nga institucionet përgjegjëse.
“METOHIJA” NË VEND TË “RRAFSHIT TË DUKAGJINIT”
Rasti më i dukshëm gjendet në faqen 43, në pjesën që trajton relievin e Kosovës.
Në përshkrimin e territorit, autori përdor termin “Metohija”, duke shkruar:
“Relievi përbëhet nga luginat e Fushë Kosovës, në pjesën qendrore dhe lindore dhe METOHIA në pjesën perëndimore.”
Përdorimi i këtij emërtimi në një tekst shkollor ngre pikëpyetje serioze për terminologjinë e përdorur gjatë mësimit të gjeografisë së Kosovës.
SHQIPTARËT “HARROHEN” NË PËRSHKRIMIN E POPULLSISË SË SERBISË
Por problemi nuk ndalet këtu.
Në faqen 41, ndërsa trajtohet Serbia, autori rendit disa nga komunitetet që jetojnë në këtë shtet, por nuk përmend shqiptarët, pavarësisht pranisë së tyre në jug të Serbisë, veçanërisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në tekst thuhet:
“Në Serbi jetojnë 6.736.216 banorë. Përveç serbëve, këtu jetojnë edhe malazezët, maqedonasit, bullgarët, hungarezët dhe rumunët në Vojvodinë.”
Shqiptarët, ndërkaq, nuk figurojnë në këtë listim.
EDHE LIBRI I HISTORISË NË QENDËR TË KRITIKAVE
Pikëpyetje të tjera janë ngritur edhe për librin e Historisë për klasën e tetë.
Sipas kritikave të fundit, në tekstin e ri është reduktuar ndjeshëm hapësira që i kushtohet historisë së shqiptarëve, ndërsa më shumë përmbajtje trajtojnë tema që lidhen me historinë e Serbisë.
Nga gjashtë deri në tetë njësi mësimore që më herët trajtonin tema nga historia e shqiptarëve, në tekstin e ri thuhet se kanë mbetur vetëm tri njësi.
Kjo ka rikthyer debatin mbi mënyrën se si hartohen dhe miratohen tekstet shkollore dhe nëse ato pasqyrojnë në mënyrë të drejtë historinë dhe realitetin multietnik të vendit.
PREMTIMET PËR KORRIGJIM, POR PROBLEMET VAZHDOJNË
Kjo nuk është hera e parë që tekstet shkollore në Maqedoninë e Veriut përballen me kritika për përmbajtje të pasakta apo të diskutueshme.
Në dhjetor të vitit 2025, zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, kishte kërkuar korrigjimin e gabimeve të evidentuara në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë.
Megjithatë, shqetësimet për përmbajtjen e këtij libri vazhdojnë të jenë aktuale.
Për vite me radhë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është drejtuar edhe nga ministra e zëvendësministra shqiptarë, të cilët kanë premtuar rishikimin dhe korrigjimin e teksteve shkollore me përmbajtje të pasakta apo të diskutueshme.
Por rastet e reja ngrenë një pyetje të fortë: sa prej këtyre premtimeve janë zbatuar realisht?
Në fund, bëhet fjalë për libra nga të cilët mësojnë fëmijët dhe të rinjtë. Prandaj, çdo gabim, mungesë apo formulim i diskutueshëm nuk mund të trajtohet thjesht si një detaj redaktorial, por kërkon sqarim institucional dhe përgjegjësi profesionale.



