Mesditën e së premtes këshilltarët e AKI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit dolën me disa kërkesa ndaj këtij autoriteti. Koordinatori i këtij grupi Abdluselam Selami kërkoi që projektet e nisura nga BDI të mos preken. Ai theksoi që me nismën e këshilltarëve të tyre do të hiqet mbikalimi ilegal në Bit Pazar, kurse për ri destinimin e buxhetit për Bulevardin “Hasan Prishtina” kritikuan kryetarin Orce Gjeorgjievskin.
“Kërkuam zgjidhje për vendkalimin në Bit Pazar, pas analizave dhe konsultimeve ai do të legalizohet dhe do të pajiset me sinjalistikë adekuate dhe semaforë përkatës. Një prej betejave tona kryesore ishe Bulevardi ‘Hasan Prishtina’ ku e theksuam se kategorikisht jemi kundër prekje së 8 milion eurove mjete të dedikuara para disa viteve për Bulevardin ‘Hasan Prishtina’ dhe se qytetarët e bizneset kanë pritur shumë për këtë rrugë. Ne dhamë mund e djersë që asaj rruge ti ndahen ato mjete dhe apelojmë deri te kryetari i Qytetit të Shkupit që sa më parë të filloj ndërtimi i Bulevardit ‘Hasan Prishtina’”, pohoi Abdulselam Selami, Koordinator i këshilltarëve të AKI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit .
Nga VLEN thonë se BDI po krijon panik lidhur me projektin për bulevardin “Hasan Prishtina”, duke thënë se vetë e kishte lënë atë të parealizuar. Sipas tyre, projekti u promovua që në vitin 2021, ndërsa në vitet 2023-24 ende po flitej për përgatitjen e dokumentacionit. Ndërkaq nga Komuna e Çairit, e cila po ashtu i takon VLEN-i thonë se për mbikalimin e Bit pazarit është meritë e tyre zgjidhja afatgjate që do bëhet.
“Komuna e Çairit është në dijeni të situatës lidhur me kalimin e shpeshtë të këmbësorëve në zonën e Bit Pazarit, pavarësisht ekzistimit të mbikalimit për këmbësorë. Aktualisht po zhvillohet një analizë e brendshme teknike, ku po shqyrtohen alternativa të ndryshme, përfshirë edhe vlerësimin e kostos për heqjen e urës ekzistuese dhe gjetjen e një zgjidhje më të përshtatshme dhe më funksionale për qytetarët. Çdo veprim do të realizohet në koordinim me Qytetin e Shkupit dhe institucionet kompetente, me prioritet rritjen e sigurisë rrugore dhe organizimin më efikas të hapësirës”, thonë nga Komuna e Çairit.
Ndërsa Qytetin e Shkupit e pyetëm për ridestinimin e mjeteve për Bulevardin “Hasan Prishtina”.
Nga aty thonë se 6 milionë eurot që Arsovska dhe Shilegov i morën nga Qeveria gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së për realizimin e Bulevardit “Hasan Prishtina” kryetari i ri i Shkupit, Orce Gjorgjievski, i ka ri destinuar për ndërtimin e rrugës nëntokësore në Bulevardin Jugor.
“Qyteti i Shkupit konsideron se projektit duhet të bëhen ndryshime të caktuara, me qëllim që të tejkalohen problemet e së kaluarës dhe të shmanget çdo lloj improvizimi. Fokusi ynë është zgjerimi dhe ndërtimi i rrugës nga Bulevardi Nikolla Karev dhe kryqëzimi te Momin Potoku deri te Slloveneçka.
Duke qenë se konsiderojmë që për momentin nuk ka pengesa për ridestinimin e mjeteve me vendim të Qeverisë, këto mjete janë orientuar drejt realizimit të Bulevardit ‘Maqedonia’”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Qyteti i Shkupit, gjatë mandatit të ish-kryetarit Petre Shilegov dhe më pas gjatë mandatit të Danella Arsovskës, mori nga Qeveria nga tre milionë euro për realizimin e këtij projekti, i cili aktualisht është në gjendje të mjerueshme dhe për momentin është e vetmja rrugë që çon drejt kufirit me Kosovën.





