Studentët nga Kumanova dhe Tetova “në harresë”: 10 mijë denarë në muaj për autobus – Qeveria: “Nuk është prioritet”!

Bileta ndërurbane shtrenjtohet, por subvencionet për studentët që udhëtojnë drejt Shkupit nuk parashikohen për momentin. Mickoski premton rishikim të çështjes.

Studentët që çdo ditë udhëtojnë nga Kumanova dhe Tetova drejt Shkupit për të ndjekur studimet do të përballen me shpenzime të konsiderueshme për transport.

Nga 1 shtatori, bileta vajtje-ardhje Kumanovë–Shkup kushton 400 denarë, ndërsa ajo Tetovë–Shkup 500 denarë.

Kjo do të thotë se një student që udhëton çdo ditë pune, pesë herë në javë, duhet të shpenzojë afërsisht:

* Kumanovë–Shkup: 8.000 denarë në muaj
* Tetovë–Shkup: 10.000 denarë në muaj

❗ SUBVENCIONE KA, POR JO PËR UDHËTIMET NDËRQYTETËSE

Transporti publik falas për studentët aplikohet vetëm brenda territorit të Qytetit të Shkupit, ndërsa për ata që vijnë nga qytetet e tjera nuk ka një skemë të tillë subvencionimi.

E pyetur nëse Qeveria planifikon të subvencionojë biletat për studentët që udhëtojnë drejt kryeqytetit, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se kjo çështje nuk është prioritet për momentin.

Sipas saj, Qeveria aktualisht është e fokusuar në reforma të tjera në arsim, ndërsa çështjet e tjera do të trajtohen sipas prioriteteve.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se çështja e subvencioneve për transportin e studentëve do të rishikohet.

Për shumë familje, megjithatë, 8.000 apo 10.000 denarë në muaj vetëm për transport përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare.