Një person është arrestuar për krime lufte dhe është dërguar në ndalim për 48 orë, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës. I dyshuari, R.K., u arrestua në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për krime lufte në Zubin Potok. Ai dyshohet për veprën penale: “Krime lufte kundër popullatës civile”. Në tri varreza masive në këtë komunë në veri të Kosovës, janë gjetur mbetjet mortore të së paku 23 personave. Lidhur me gjetjen e varrezave masive, autoritetet më herët kanë njoftuar për arrestimin e tre personave të tjerë, të cilët gjenden në paraburgim. Në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut, gërmimet nisën në korrik dhe më 21 gusht autoritetet njoftuan për përfundimin e procesit të gërmimeve dhe zhvarrosjeve të mbetjeve mortore në tri lokacione. Dhjetë mbetje kockore, ndërkaq, veçse janë dërguar në Hagë për identifikim përmes ADN-së. Autoritetet në Kosovë dyshojnë se mbetjet mortore të gjetura në varrezat masive në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë të Zubin Potokut mund t’i përkasin “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”. Grupi prej 23 personash është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera./Alsat.mk.
Kosovë-Shqipëri Kosovë / Arrestohet një serb për krime lufte në Zubin Potok



