Me 27 automjete të reja komunale, si pjesë e projektit për modernizimin e pajisjeve për mirëmbajtjen e higjienës publike që iu dorëzuan sot Ndërmarrjes Publike të Higjienës Komunale, pritet që të normalizohet situata me mbeturinat në kryeqytet.
Ndërkohë kaosi i krijuar tash e sa kohë vazhdon të jetë prezent thuajse në shumë lagje të Shkupit. Kosha të dëmtuar dhe të stërmbushur me mbeturina dhe deponi rreth tyre edhe sot ishin prezent.
Por se a do të marrë fund kaosi me mbeturinat në Shkup, i pari i Shkupit, Orce Gjorgjievskit, premtoi se kontejnerët e stërmbushur dhe rrugët e mirëmbajtura keq do të bëhen pjesë e së kaluarës.
“Kur flasim për mbeturinat në Qytetin e Shkupit ky është një nga shtyllat që e paralajmërova që nga dita e parë kur mora detyrën e kryetarit të komunës, dhe ajo ishte modernizimi premtova se papastërtia, kontejnerët e stërmbushur dhe rrugët e mirëmbajtura keq do të bëheshin pjesë e së kaluarës. Sot, fjala po bëhet vepër.”tha Orce Gjorgjievski – Kryetar i Qytetit të Shkupit
Përveç Ndërmarrjes Publike të Shkupit, nga 49 automjete dhe pajisje, do t’u dorëzohen edhe disa komunave tjera.
“Në total kemi 19 kamionë multifunksionalë të llojeve të ndryshme, 9 kamionë të specializuar, ose siç quhen zakonisht cisterna, të cilat duhet të ndihmojnë në larjen e rrugëve, si dhe 21 automjete multifunksionale që duhet të ndihmojnë në pastrimin e rrugëve, nga më të voglat deri te më të mëdha. Në këtë projekt do të ketë automjete për Qytetin e Shkupit, Komunën e Kumanovës, Prilepit, Strumicës, Shtipit, Komunën e Ohrit, atë të Tetovës, Negotinës, Kërçovës, Dibrës, dhe Velesit”, tha Aleksandar Nikolloski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve
Vlera e 49 automjeteve të reja arrin rreth 4.2 milionë euro, ndërsa mjetet janë siguruar nga Banka Botërore. Automjetet e promovuar sot janë të dedikuara për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, ndërsa investimi synon të rrisë kapacitetet e shërbimeve komunale dhe të përmirësojë higjienën në qytete./Alsat.mk.





