Tragjedi në autostradën Ohër–Kërçovë: makina përplaset me qentë, përfshihet nga flakët – shoferi humbet jetën

Një aksident tragjik ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës në autostradën Ohër–Kërçovë.

Sipas njoftimit të SPB Ohër, rreth orës 23:30, një automjet pasagjerësh “Hyundai Getz” me targa të Ohrit ka goditur disa qen endacakë. Pas përplasjes, automjeti ka dalë në kontakt me mbrojtëset metalike të rrugës dhe më pas është përfshirë nga flakët.

Zjarrfikësit e Drejtorisë Territoriale të Zjarrfikësve në Ohër kanë arritur ta shuajnë zjarrin, ndërsa brenda automjetit është gjetur trupi i pajetë i shoferit.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe për përcaktimin e identitetit.

Në vendngjarje kanë kryer inspektim prokurori publik dhe ekipet kompetente policore. Gjatë hetimeve, qarkullimi në autostradë është ridrejtuar përmes rrugës rajonale Ohër–Strugë.

Hetimi pritet të zbardhë rrethanat e plota të kësaj tragjedie.