Të dielën u zhvillua në Gyiron të Xizang-ut konferenca e shtypit lidhur me rrëshqitjen e dheut të mërkurën.
Deri në orën 18 të së shtunës, fatkeqësia kishte shkaktuar 16 viktima, ndërsa 546 veta janë të zhdukur.
Në konferencën për shtypin, të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe mbajtën një minutë heshtje për viktimat.
Sipas hetimit, ndër 546 personat e zhdukur përfshihen 261 të huaj, të cilët janë nga 23 vende, që përfshijnë Kazakistanin, Malajzinë, Nepalin, Indinë, Afrikën e Jugut, Irlandën, Estoninë, Gjermaninë, Rusinë, Francën, Finlandën, Holandën, Letoninë, Lituaninë, Portugalinë, Ukrainën, Spanjën, Hungarinë, Britaninë, Kanadanë, ShBA-në, Australinë dhe Zelandën e Re. Pala kineze i ka njoftuar ambasadat dhe konsullatat e vendeve përkatëse në Kinë.
Aktualisht nuk ka asnjë turist të huaj të bllokuar në Gyirong.
Tashmë është përcaktuar shkaku i rrëshqitjes së dheut që ndodhi në anën nepaleze të kufirit. Të mërkurën paradite rreth orës 10 e 52 minuta sipas orës së Pekinit, një akullnajë në Nepal u thye në një lartësi prej afërsisht 5 200 metrash mbi nivelin e detit, duke shkaktuar një ortek akulli dhe shkëmbinjsh, që zbriti shpejt nga një lartësi e madhe në rreth 4 000 metra, duke gërryer masivin malor e duke shkaktuar rrëshqitjen gjigante të dheut. Rrjedha me shpejtësi të lartë përshkoi rreth 22 kilometrash përpara se të mbërrinte në pikën kufitare Gyirong, që ndodhet në një lartësi prej rreth 1 800 metrash mbi nivelin e detit, duke rrafshuar 27 ndërtesa e objekte ndihmëse në këtë zonë me një sipërfaqe rreth 0.7 kilometra katrorë.
Në konferencën e shtypit u raportua se kjo katastrofë u shkaktua nga paqëndrueshmëria e akullnajave nën ndikimin afatgjatë të ngrohjes globale.
Pas ndodhjes së katastrofës, Xizang-u aktivizoi menjëherë reagimin emergjent të Nivelit I të Rajonit Autonom për fatkeqësinë natyrore dhe reagimin emergjent të Nivelit I të ndihmës në fatkeqësi. Ministria e Financave dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave të Kinës kanë dhënë 120 milionë juanë fonde, dhe Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës ka caktuar 100 milionë juanë për të mbështetur ndihmën emergjente dhe punët e rimëkëmbjes pas katastrofës.
Tani rreziku më i madh në përgjigjen ndaj fatkeqësisë është një bllokim i rrjedhës mbi pikën kufitare. Nëpërmjet shkarkimit të përmbytjeve, aktualisht gjendja është e qëndrueshme dhe mundësia e shembjes së tij është e ulët.



