Ky është emri dhe mbiemri i personit nga Maqedonia në dosjen e Shehollit

Prishtinë/Shkup – Në dosjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Fatmir Shehollit përmendet edhe një person nga Maqedonia e Veriut, i cili në komunikimet e evidentuara në materialet hetimore shfaqet fillimisht me emërtimin “Viktor Makedonia”, ndërsa në pjesë të tjera të dosjes përmendet emri Viktor Petrushevski.

Sipas aktakuzës, komunikimet e Shehollit nuk janë kufizuar vetëm në persona dhe struktura në Kosovë e Serbi. Prokuroria ka evidentuar edhe kontakte me personin e regjistruar në telefon si “Viktor Makedonia”, të cilat, sipas pretendimeve të aktakuzës, lidhen me përpjekjet për shtrirjen e ndikimit serb edhe në Maqedoninë e Veriut.

Në pjesën tjetër të materialeve të përfshira në dosje, Prokuroria përmend Viktor Petrushevskin, duke e lidhur atë me komunikimet e zhvilluara me Shehollin në dhjetor të vitit 2024.

Sipas aktakuzës, nga këto komunikime rezulton se Sheholli kishte ndërmarrë veprime për organizimin e një takimi me Bojan Dimiqin, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA). Prokuroria pretendon se takimi ishte realizuar më 25 dhjetor 2024.

Pikërisht për shkak të përputhjes së emërtimit “Viktor Makedonia” me përmendjen e emrit Viktor Petrushevski në pjesë të tjera të dosjes, personi nga Maqedonia e Veriut del si një nga emrat që Prokuroria e ka përfshirë në materialet e komunikimeve të sekuestruara nga telefoni i Shehollit.

Megjithatë, pretendimet e Prokurorisë janë pjesë e aktakuzës dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar gjyqësor. Roli dhe përgjegjësia eventuale e personave të përmendur duhet të përcaktohen nga gjykata në procedurën përkatëse.

Fatmir Sheholli akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për spiunazh dhe shantazh, ndërsa çështja është duke u shqyrtuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. (INA)