Të mërkurën, rreth orës 10:30 të mëngjesit, një rrëshqitje dheu ndodhi në anën nepaleze të kufirit, duke shkaktuar një numër të konsiderueshëm viktimash e të zhdukurish në portin Gyirong në kontenë Gyirong të qytetit Shigatse të Rajonit Autonom të Xizang-ut të Kinës. Forca të shumta shpëtimi kanë shkuar në zonën e fatkeqësisë për të kryer punët e shpëtimit dhe ndihmës.
Në përgjigje të nevojave të ndihmës në fatkeqësi, u dhanë 30 000 sende të furnizimeve qendrore për ndihmë në rast fatkeqësie, duke përfshirë tenda, ngrohëse, veshje, shtretër të palosshëm dhe dyshekë rezistentë ndaj lagështirës, për të mbështetur zhvendosjen dhe rivendosjen e të prekurve dhe punën e ndihmës në fatkeqësi.
Ministria e Financave dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave e Kinës kanë caktuar 120 milionë juanë nga fondet e qeverisë qendrore për ndihmë urgjente në rast fatkeqësish natyrore për të mbështetur përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës emergjente në Xizang pas rrëshqitjes së dheut në Gyirong. Fokusi do të jetë në operacionet e kërkim-shpëtimit, zhvendosjen dhe rivendosjen e banorëve të prekur, zbutjen e rreziqeve dhe rregullimin e shtëpive të dëmtuara ose të shkatërruara, me qëllim minimizimin e humbjeve dhe të numrit të viktimave nga fatkeqësia. Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës ka ndarë gjithashtu urgjentisht 100 milionë juanë nga buxheti qendror për të mbështetur rindërtimin emergjent pas fatkeqësisë dhe zhvillimin e infrastrukturës në zonat e prekura.
Pas katastrofës, presidenti i Kinës Xi Jinping, theksoi se detyrat më urgjente janë të bëhen të gjitha përpjekjet për të kërkuar dhe shpëtuar personat e zhdukur, për të zhvendosur banorët vendas të prekur nga fatkeqësia dhe për të trajtuar menjëherë të plagosurit për të minimizuar viktimat. Ai theksoi gjithashtu nevojën për të forcuar sistemet e monitorimit dhe paralajmërimit të hershëm, si dhe për të theksuar përpjekjet shkencore të shpëtimit dhe për të parandaluar katastrofat dytësore.



