Pas asaj që u dëgjua gjatë vizitës suaj në Preshevë, ndjeva nevojën t’ju drejtohem jo vetëm si shqiptar, por si shtetas i Republikës së Serbisë dhe pjesëtar i komunitetit pakicë shqiptar.
Dëgjova qytetarë serbë lokalë që u ankuan para jush për papunësinë dhe për punësimin e shqiptarëve. Njëri prej tyre tha se nuk ka punë as për të, as për djalin e tij, ndërsa shqiptarët po punësohen. Në këtë bisedë u përdorën edhe shprehje përçmuese ndaj shqiptarëve. Por përgjigjja juaj ishte e menjëhershme. Ju thatë se do t’i drejtoheshit BIA-s (absurditet në një vend demokratik) dhe kërkuat që “këta njerëz” të futeshin në punë brenda 48 orësh.
President, a nuk lind këtu një pyetje e thjeshtë, a vlen i njëjti shtet dhe e njëjta shpejtësi përgjigjeje edhe për shqiptarët?
Nëse një qytetar serb ankohet për papunësi, shteti duhet ta dëgjojë, por edhe shqiptari që kërkon punë duhet të ketë të njëjtën mundësi, pa u parë si fajtor vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike dhe pastaj ndodhi diçka edhe më shqetësuese. Një grua e moshuar, duke folur për shqiptarët, tha se ata duhen “rrahur me shuplakë”, sepse nuk dinë të flasin serbisht dhe ju, president, nuk reaguat. Kjo heshtje është më e rëndë se një fjalë, sepse kur një qytetar kërkon punë, ju premtoni ndërhyrje brenda 48 orësh, kur një tjetër qytetare fyen dhe kërkon dhunë ndaj një komuniteti të tërë, ju zgjidhni heshtjen.
Prandaj pyes, ku është i njëjti standard?
Nëse erdhët në Preshevë për të dëgjuar qytetarët, pse nuk i dëgjuat edhe shqiptarët? Pse u anashkaluan përfaqësuesit politikë shqiptarë të zgjedhur nga vetë qytetarët?
Unë nuk do ta marr mundimin ta mësoj gjuhën tuaj vetëm sepse dikush mendon se, për të qenë qytetar i barabartë, duhet të flas gjuhën e shumicës. Jo sepse nuk dua të mësoj gjuhë të tjera, përkundrazi, gjuha është pasuri dhe urë komunikimi, por gjuha ime është shqipja. Është gjuha e nënës dhe babait tim, e gjyshërve të mi; gjuha në të cilën kam dëgjuar fjalët e para, kam mësuar të lexoj e të shkruaj dhe kam shprehur gëzimet e dhimbjet e mia dhe për këtë gjuhë nuk kam nevojë për leje.
Si shtetas i Republikës së Serbisë dhe pjesëtar i komunitetit shqiptar, ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë më shumë të drejta se qytetarët serbë, kërkoj të njëjtat të drejta:
Të drejtën për ta përdorur gjuhën time.
Të drejtën për përfaqësim të barabartë.
Të drejtën për punësim mbi bazën e meritës.
Të drejtën për t’u trajtuar me dinjitet në institucionet e shtetit tim.
Realisht, problemi nuk është vetëm gjuha, problemi është më i thellë: A jemi ne shqiptarët qytetarë të barabartë të Republikës së Serbisë edhe de facto, apo vetëm de jure?
Nëse një serb nuk ka punë, shqiptari nuk është fajtor. Nëse një shqiptar punësohet, kjo nuk është padrejtësi ndaj serbit. Punësimi duhet të përcaktohet nga ligji, kriteret dhe meritat, jo nga përkatësia etnike. Nëse dikush nuk e flet mirë gjuhën serbe, kjo nuk është arsye për ta poshtëruar, aq më pak për të kërkuar dhunë ndaj tij. Gjuha duhet të jetë urë, jo armë. Prandaj, president, nëse doni të flisni për bashkëjetesë, mos dëgjoni vetëm njërën palë. Mos i anashkaloni përfaqësuesit shqiptarë. Mos lejoni që problemet sociale dhe ekonomike të shndërrohen në urrejtje etnike.
Na dëgjoni edhe ne, sepse ne nuk jemi mysafirë në Preshevë, jemi shtetas të Republikës së Serbisë dhe duam të jemi qytetarë të barabartë jo vetëm de jure, por edhe de facto.
– Fitim Nuhiu
– 26.08.2026, Preshevë
Opinione Presheva para Vuçiqit: Njëra anë dëgjohet, tjetra heshtet



