Shkrimtarja dhe filozofja shqiptare Lea Ypi u nderua me çmimin “BookStar 2026” në Shkup për librin e saj “Të lirë”, një vepër që trajton lirinë jo thjesht si të drejtë individuale, por si përgjegjësi morale dhe si çështje që lidhet ngushtë me mënyrën se si ndërtohen shoqëritë. Profesoresha e London School of Economics dhe një nga zërat më të rëndësishëm të mendimit kritik bashkëkohor, Ypi e sheh këtë vlerësim edhe si një mundësi për të reflektuar mbi kufijtë e lirisë.
Në këtë intervistë për Portalb.mk, Lea Ypi foli për kuptimin e lirisë dhe keqinterpretimin e saj në shoqëritë moderne, raportin mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe identitetit të tyre kulturor e gjuhësor, si dhe për mënyrën se si nacionalizmi dhe kapitalizmi mund ta kufizojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Ajo ndalet edhe te raporti mes Ballkanit dhe Perëndimit, duke vënë në pikëpyetje si stereotipet perëndimore për rajonin, ashtu edhe idealizimin ballkanik të Perëndimit. Ypi flet gjithashtu për librin e saj “Të poshtëruar” dhe për kërcënimet që konsumizmi, tregu dhe nacionalizmi paraqesin për dinjitetin, ndërsa paralajmëroi se libri i ardhshëm, “Të barabartët”, do ta përmbyllë trilogjinë e saj mbi lirinë, dinjitetin dhe barazinë.
Portalb.mk: Në Shkup u nderuat me çmimin “BookStar 2026” për librin “Të lirë”. Çfarë do të thotë për ju ky çmim, nga një vend ku shqiptarët ende përballen me barriera etnike dhe gjuhësore dhe nuk janë aq “të lirë”?
Lea Ypi: Unë flas për një koncept lirie që ka të bëjë me dimensionin moral të njeriut. Koncepti im, ideja ime e lirisë, është liria si përgjegjësi morale. Unë nuk besoj që liria është e realizuar në shoqëritë në të cilat jetojmë. Në fakt, mendoj që jetojmë në shoqëri që shpesh e manipulojnë lirinë dhe diskursin rreth saj, dhe ku shpesh ideali i lirisë ngatërrohet me ideologjinë rreth lirisë.
Në të gjithë veprën time flas për rëndësinë e një konceptimi kritik të lirisë, që shërben edhe për të ndërgjegjësuar publikun, lexuesit dhe politikanët rreth këtyre limiteve ideologjike që vijnë nga nacionalizmi, nga kapitalizmi dhe të gjitha ato “izma” që përpiqen ta përvetësojnë këtë koncept të lirisë.
Është e rëndësishme për mua, të paktën, që ky vlerësim në këtë ambient të kulturës dhe letrave është një vlerësim që më bën të mendoj që ka aq shumë hapësira ku ne mund të bashkëpunojmë përtej nacionalizmit, përtej limiteve ideologjike dhe ku mund të luftojmë për lirinë dhe për integritetin, dhe ku njohja e lirisë kolektive, njohja e identitetit, e gjuhës, e gjërave që na bëjnë bashkë, nuk është kërcënim për tjetrin, por, në fakt, është një pasuri për një shoqëri.

Portalb.mk: Si e shihni lidhjen mes “Të lirë” dhe kontekstit kulturor, politik e filozofik në të cilin jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?
Lea Ypi: Unë e shoh përpjekjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si një përpjekje të vazhdueshme për ta njohur lirinë, për ta njohur atë liri të brendshme, atë liri morale që ne kemi dhe që na bën të kemi një mesazh kritik ndaj shoqërisë, ndaj institucioneve, për të krijuar institucione të drejta që e njohin bashkëpunimin dhe që u japin mundësi grupeve të ndryshme të shprehen në gjuhën e tyre, me kulturën e tyre, për të njohur vlerat e tyre dhe për t’i parë këto vlera jo si diçka që na kërcënon thjesht sepse është ndryshe, por si diçka me të cilën ne mund të bashkëpunojmë dhe mund të ndërtojmë ura.

Portalb.mk: Sa të lirë janë shqiptarët sot? A e kemi keqkuptuar lirinë duke e reduktuar atë vetëm në zgjedhje individuale?
Lea Ypi: Mendoj se, në kontekstin e shoqërive bashkëkohore në përgjithësi, jo vetëm në ato sfera shqipfolëse, por edhe në Ballkan, në Evropë dhe në botë, mund të thosha që ne, pas rënies së Murit të Berlinit dhe pas rënies së komunizmit, përjetuam një ide se tani, më në fund, këto shoqëri kanë dalë nga zgjedha e këtyre regjimeve komuniste dhe, më në fund, ka ardhur liria e vërtetë.
Në fakt, unë mendoj që edhe shoqëritë bashkëkohore në të cilat ne jetojmë, këto shoqëri të konsumizmit, shoqëri kapitaliste, shoqëri në të cilat shpesh manipulohet sentimenti nacionalist për të krijuar rivalitet dhe armiqësi mes grupeve të ndryshme, kanë mungesa të rëndësishme të lirisë.
Dhe, në qoftë se ne arrijmë të kemi një konceptim kritik të lirisë dhe një konceptim kritik të shoqërive në të cilat jetojmë, bashkë do të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

Portalb.mk: A vazhdon Perëndimi ta shohë Ballkanin përmes stereotipeve, ndërsa Ballkani Perëndimin përmes idealizimeve?
Lea Ypi: Mendoj se po, megjithëse në vitet e fundit sidomos, me zhvillimet politike në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndoshta ky mit i Perëndimit si ‘toka e lirisë së premtuar’ ka filluar të zhbëhet pak për të gjithe ne sepse ne shohim vazhdimisht një realitet lufte, agresioni, përjashtimi të emigrantëve, shohim konflikte rreth burimeve natyrore, kriza ekonomike dhe ambientale.
Ndoshta kjo na shërben edhe neve për t’u zgjuar disi nga ky konceptim idealist që kemi për Perëndimin dhe për të kuptuar se edhe në historinë e Ballkanit, episodet e bashkëpunimit dhe përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri ndryshe janë po aq të rëndësishme sa episodet e luftërave dhe konflikteve mes grupeve.
Nëse e shohim veten dhe identitetin tonë ndryshe, duke zhvilluar një qasje kritike përtej idealizmit dhe përtej stereotipeve, kjo mund të jetë një kontribut i rëndësishëm që shoqëria jonë mund t’ia japë edhe Evropës. Shpesh ne qëndrojmë duke pritur nga Evropa dhe nuk e kuptojmë se kemi edhe vetë aftësinë për t’i ndryshuar gjërat.”

Portalb.mk: Në “Të poshtëruar” flisni për dinjitetin. Çfarë e kërcënon më shumë dinjitetin e njeriut sot?
Lea Ypi: Kam folur shumë për mënyrën se si shoqëritë e tregut të lirë, të marketingut dhe të kapitalizmit e kërcënojnë dinjitetin njerëzor duke e kthyer gjithçka në mall. Edhe vlerat njerëzore, solidariteti, afërsia, komuniteti dhe të qenit bashkë rrezikojnë të shndërrohen në objekte që shkëmbehen vetëm për të përfituar. Unë e konceptoj lirinë dhe dinjitetin si dy gjëra të lidhura ngushtë, ndërsa lirinë e shoh në një dimension njerëzor që shkon përtej vetes dhe përtej dëshirës për të avancuar vetëm individualisht, pa pyetur se çfarë pasojash ka ky avancim për të tjerët.
Në një shoqëri ku dinjiteti do të ishte në qendër të vëmendjes dhe të kërkesave tona politike, mendoj se do të arrinim në një konceptim shumë më kritik të mënyrës se si jetojmë. Ajo që më shqetëson personalisht është, nga njëra anë, mentaliteti i konsumizmit dhe vlerat e shoqërive kapitaliste, ndërsa nga ana tjetër, përvetësimi dhe manipulimi i sentimenteve nacionaliste dhe ideja e një kulture homogjene, sipas së cilës një kulturë mund të ekzistojë vetëm nëse shkatërrohet një tjetër. Ndërkohë, unë besoj shumë te bashkëpunimi kozmopolit mes grupeve dhe kulturave të ndryshme, te mundësia që ato të bashkëjetojnë, të pasurojnë njëra-tjetrën dhe të ekzistojnë pa pasur nevojë të përjashtojnë apo të shkatërrojnë njëra-tjetrën.

Portalb.mk: Cili do të jetë libri i radhës i Lea Ypit, a do jetë vazhdim i dy librave të parë apo diçka ndryshe?
Lea Ypi: Po, do të jetë përmbyllja e një trilogjie. Pjesa e fundit e saj është libri “Të Barabartët”, i cili trajton përvojat e migracionit dhe vlerën e barazisë, të lidhura ngushtë me lirinë dhe dinjitetin-tema që kanë qenë në qendër edhe të dy veprave të mëparshme.



