Sukses i madh për Rexhep Hajdarin, fiton medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare

Mundësi shqiptar Rexhep Hajdari ka fituar medaljen e argjendtë për Maqedoninë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, që po zhvillohen në Itali.

Hajdari garoi në mundje të stilit të lirë, në kategorinë deri në 97 kilogramë. Në finalen për medaljen e artë ai u përball me përfaqësuesin e Greqisë, Dauren Kurugliev, por nuk arriti ta mposhtte kundërshtarin e fuqishëm dhe në fund u stolis me medaljen e argjendtë.

Rrugëtimi i Hajdarit drejt finales ishte mbresëlënës. Ai e nisi garën pikërisht kundër Kuruglievit, nga i cili u mund me rezultat 0:10. Megjithatë, Hajdari u rikthye fuqishëm dhe në përballjen vendimtare të fazës së grupeve e mposhti marokenin Walid Cheik Lahlou me rezultat bindës 11:0.

Në gjysmëfinale, mundësi shqiptar zhvilloi një duel dramatik kundër francezit Adlan Vishkhanov. Hajdari triumfoi me rezultat të ngushtë 3:2, duke siguruar finalen dhe të paktën medaljen e argjendtë.

Me këtë rezultat, Rexhep Hajdari shënon një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij në arenën ndërkombëtare.

Ky ishte medalja e dytë e argjendtë në mundje për Maqedoninë e Veriut në Taranto, pasi më herët në podium u ngjit edhe Fati Vejseli në kategorinë deri në 74 kilogramë. Ndërkohë, Ahmad Magomedov fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 86 kilogramë, duke e mposhtur italianin Gabriele Nicolini me rezultat 10:0.

Kështu, mundësit i sollën Maqedonisë së Veriut tri medalje në një mbrëmje: dy të argjendta dhe një të bronztë, duke konfirmuar paraqitjen e shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare.