Rusia po e përdor në mënyrë aktive konceptin e “Botës Serbe” si një lloj instrumenti përfaqësues të saj, për të ushtruar ndikim të thellë mbi Maqedoninë e Veriut dhe për ta destabilizuar orientimin e saj euroatlantik. Kështu ka deklaruar Petrit Saraçini, duke analizuar zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe sfidat me të cilat përballet rajoni.
Sipas tij, gjetja e zgjidhjeve për këto probleme është jashtëzakonisht e vështirë dhe aktualisht pothuajse e paarritshme, para së gjithash për shkak të disa rrethanave serioze që e vështirësojnë situatën në skenën politike ndërkombëtare.
Infiltrimi në sferat kryesore të shoqërisë
Saraçini paralajmëron se ndikimi rus nuk ushtrohet vetëm drejtpërdrejt, por kanalizohet në mënyrë të tërthortë përmes strukturave serbe.
Sipas tij, kjo ofensivë është e orientuar në mënyrë strategjike dhe përfshin shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë:
• Hapësirën mediatike: ku në vazhdimësi promovohen narrativa që synojnë të ulin besimin ndaj institucioneve perëndimore.
• Skenën politike: përmes mbështetjes së tërthortë ndaj politikave që e pengojnë rrugën evropiane të shtetit.
• Komunitetin akademik dhe Kishën: si qendra të rëndësishme që kanë ndikim të madh në formësimin e opinionit publik dhe identitetit.
Përçarjet në BE si pengesa kryesore
Duke folur për zgjidhjet e mundshme dhe daljen nga kjo situatë, Saracini një pjesë të madhe të problemit e sheh te vetë Bashkimi Evropian (BE).
„Së pari është politika e vetë BE-së, divergjencat dhe përçarjet e brendshme lidhur me qasjen strategjike ndaj zgjerimit“, thekson ai, duke shpjeguar se pavendosmëria e Brukselit krijon një hapësirë boshe, të cilën lehtësisht e mbushin aktorë të tjerë gjeopolitikë.
Evropa luan me „dy kuaj“ në Serbi
Duke analizuar raportin e bashkësisë ndërkombëtare me Beogradin, Saraçini thekson se politika evropiane ndaj Serbisë, vazhdon të jetë ambivalente dhe e mbushur me kompromise. Ai vlerëson se struktura të caktuara në BE, e mbështesin me vetëdije presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Arsyeja për këtë, sipas Saraçinit, është frika nga alternativa: Vuçiqi u duket si një „aktor shumë më i pranueshëm“ për bashkëpunim.
Alternativa, sipas tij, janë „forcat radikale pro-ruse“, të cilat veprojnë lirshëm dhe kanë ndikim të fuqishëm edhe brenda vetë opozitës serbe. Kjo politikë e kompromiseve ndaj Beogradit, përfundon Saraçini, reflektohet drejtpërdrejt edhe në stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.
Opinione Petrit Saraçini: Rusia e përdor „Botën Serbe“ për ta larguar Maqedoninë nga...



