Prodhuesit bujqësor raportojnë se subvencionet e vitit 2025 ende nuk janë derdhur në llogaritë e tyre bankare, edhe pse sipas tyre tani shpejt vjen koha për pagesën për këtë vit.
Sipas shoqatave të bujqëve, vonesat e gjata dhe bllokadat në disbursimin e fondeve kanë vënë në rrezik shumë kultivues, duke ua pamundësuar sigurimin e mjeteve elementare për plehërat, farërat dhe inputet e nevojshme për ciklet e reja të prodhimit.
Prodhuesit e grurit, qumështit dhe kultivuesit e sektorëve të tjerë theksojnë se pritja e gjatë, e shoqëruar me kritere të rrepta administrative, po e vështirëson tejkalimin e kësaj gjendjeje të rëndë.
Ndërsa reagimet e prodhuesve bëhen çdo ditë e më të ashpra, krerët e shtetit arsyetojnë vonesat me situatën e trashëguar financiare dhe problemet teknike.
Sipas të dhënave nga shoqatat e bujqërve, vlera totale e mjeteve të pashlyera nga shteti ka kaluar shifrën e 100 milionë eurove. Edhe pse Ministria e Bujqësisë deri në mars të vitit 2026 arriti të shlyejë një pjesë të obligimeve prej rreth 30 milionë eurosh, mbi 70 milionë euro mbeten të bllokuara vetëm për periudhat e kaluara, ndërkohë që detyrimet vazhdojnë të grumbullohen.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe drejtuesit e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (AMFBZH) theksuan se me rebalancin e buxhetit janë siguruar mjetet e nevojshme për të përmbyllur ciklin e borxheve të mbetura nga vitet e kaluara, përfshirë periudhën 2021–2025.
Nga qeveria bëjnë me dije se paralelisht po zhvillohet edhe procesi i aplikimit për programin e ri të vitit 2026, me qëllim vendosjen e një stabiliteti afatgjatë.
“Gjetëm probleme shqetësuese, borxhe të grumbulluara, programe të papaguara dyvjeçare dhe akumulime boshe. Me rebalancin siguruam mjetet për shlyerjen e këtyre detyrimeve. Planifikojmë t’i përfundojmë pagesat direkte në bujqësi për vitin 2025″, premtoi muajin e kaluar kryeministri Mickoski.
Megjithatë, bujqit mbeten skeptikë ndaj afateve dhe premtimeve të reja. Sipas tyre, çdo vonesë dëmton zinxhirin e prodhimit vendor, duke i lënë familjet bujqësore pa mjete elementare për të nisur ciklet e reja të mbjelljeve dhe kultivimit.(INA)





