Pas rënies së Rankoviqit, filloi beteja për të vërtetën

Para 60 vitesh, Veli Deva foli hapur për dhunën në Kosovë

Nga: Bashkim Dauti- Hisari, politikolog

Rënia e Aleksandar Rankoviqit, pas Plenumit IV të KQ të LKJ-së në Brione, në korrik 1966, hapi një kapitull të ri politik në Jugosllavi. Për shqiptarët e Kosovës, kjo krijoi mundësi që për herë të parë më hapur të artikuloheshin pasojat e represionit, diskriminimit dhe kontrollit policor të viteve 1944–1966.

Në këtë klimë të re politike, pas rënies së Aleksandar Rankoviqit, kuadrot shqiptare fituan një hapësirë më të madhe veprimi dhe përfaqësimi në strukturat politike të Kosovës Sërbisë dhe të Federatës Jugosllave. Në pozita të rëndësishme u emëruan Fadil Hoxha, Xhavid Nimani, Ymer Pula, Sinan Hasani, Iljaz Kurteshi, Ramadan Vraniqi, Ismail Bajra, Ali Shukriu dhe figura të tjera të rëndësishme të nomenklaturës politike shqiptare.

Në këtë proces, Veli Deva zuri një vend të veçantë. Ai u bë shqiptari i parë që drejtoi Lidhjen e Komunistëve të Kosovës, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë politike të shqiptarëve në Kosovë. Emërimi i tij ishte tregues i rritjes së rolit të kuadrove shqiptare në strukturat vendimmarrëse dhe i përpjekjeve për një përfaqësim më të madh të shqiptarëve në jetën politike të Kosovës.
Deri në vitin 1967, zhvillimi i Kosovës konsiderohej nga udhëheqja më e lartë e RSFJ-së kryesisht si çështje e Serbisë. Deva dhe bashkëpunëtorët e tij synonin t’ia paraqisnin Titos drejtpërdrejt problemet politike, ekonomike e kombëtare të Kosovës e jo Sërbisë. Pas një pritjeje të gjatë, më 23 shkurt 1967, Titoja priti delegacionin Kosovar. Në delegacioni që u prit nga Titoja përbëhej nga: Fadil Hoxha – në atë kohë anëtar i Kryesisë së KQ të LKJ-së., Veli Deva – sekretar i Komitetit Krahinor të LK-së për Kosovë e Metohi; kryesonte delegacionin, Ali Shukriu, Ilija Vakiqi, Kadri Reufi dhe Luka Vlahoviqi.[1]

Deva: kritika ndaj UDB-së
Në mbledhjen e zgjeruar të Sekretariatit të Komitetit Krahinor, më 26 gusht 1966, Deva kritikoi hapur veprimtarinë e organeve të sigurisë, duke ngritur çështjen e pasojave të aksionit të armëve dhe të ashtuquajturit “Procesi i Prizrenit”. [2]

Akuzat e tij u bënë edhe më të rënda në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të KQ të LKS-së, më 2 shtator 1966. Sipas Devës, që nga viti 1956 në Kosovë kishin ndodhur “të paktën 50 raste vrasjesh” nga policia. Ai foli edhe për raste vdekjesh në ambientet policore dhe për një shqiptar që, sipas tij, ishte “varrosur i gjallë” nga pjesëtarë të UDB-së. [3]

Këto deklarime tregojnë se pas Brioneve, kritika ndaj aparatit të sigurisë nuk mbeti më vetëm në nivelin e pakënaqësisë së heshtur, por u bë pjesë e debatit zyrtar politik.

“Një çlirim i ri”

Në Plenumin VI të KQ të LKS-së, më 14–15 shtator 1966, Deva e cilësoi ndryshimin pas Plenumit të Brioneve për shqiptarët e Kosovës si “një çlirim të ri”. [4] Për të, rënia e Rankoviqit duhej të sillte jo vetëm reformimin e aparatit të sigurisë, por edhe ndryshime reale politike e kombëtare.

Në këtë debat, Deva e konsideronte “shovinizmin serb” një rrezik për shqiptarët, ndërsa çështja e marrëdhënieve me Shqipërinë filloi të zinte një vend më të rëndësishëm në diskursin politik të Kosovës. [5]
Por kthesa e vitit 1966 hasi në kundërshtime. Një pjesë e kuadrove serbo-malazeze në strukturat politike dhe të sigurisë në Kosovë përpiqeshin ta kufizonin përgjegjësinë te “teprimet individuale”, duke kundërshtuar interpretimin se deformimet ishin pasojë e një përgjegjësie më të gjerë institucionale.
Këtu qëndronte edhe konflikti thelbësor: a duhej të përgjigjej vetëm aparati i sigurisë, apo edhe strukturat politike që kishin lejuar ose toleruar funksionimin e tij?

Prandaj, Plenumi i Brioneve nuk shënoi fundin e çështjes Rankoviq. Ai hapi një betejë tjetër: betejën për të vërtetën mbi periudhën 1944–1966, për përgjegjësinë politike ndaj represionit dhe për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës që përvoja e tyre të dëgjohej në institucionet e pushtetit.

Referencat
[1] Arhiv Jugoslavije, Beograd, Fond 837, Kabinet Josip Broz Titos, dokumentet dhe korespondenca lidhur me delegacionin e Kosovës dhe zhvillimet politike në Kosovë, 1966–1967.
[2] Arhiv Srbije, Fond CK SKS, f. 28, shënim nga mbledhja e zgjeruar e Sekretariatit të Komitetit Krahinor të SKS për Kosovën e Metohinë, 26 gusht 1966.
[3] Arhiv Srbije, Fond CK SKS, transkript i incizimit zanor të mbledhjes së KQ të LKS-së, 2–3 shtator 1966.
[4] Arhiv Srbije, Fond CK SKS, kutija 1, “Šesta sednica CK SKS, 14. i 15. 9. 1966”.
[5] Arhiv Srbije, Fond CK SKS, k. 4, “Pripremni materijal za zasedanje Pokrajinskog komiteta za Kosovo i Metohiju”, 12–13 tetor 1966.

Bashkim Dauti- Hisari,politikolog