Gjatë vizitës në Kiev ministri i Jashtëm gjerman, Wadephul i premtoi Ukrainës edhe 50 milionë euro të tjera ndihmë humanitare. Po ashtu Gjermania do të kontribuojë me 10 milionë euro në një fond të NATO-s për Ukrainën.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, që është për një vizitë në Kiev, i premtoi Ukrainës edhe 50 milionë euro të tjera për qëllime humanitare dhe për t’u përgatitur për dimrin e ardhshëm.
Sipas mministrit Wadephul 50 milionë eurot shtesë të ndihmës gjermane do t’u jepen organizatave të OKB-së dhe organizatave joqeveritare që mbështesin veçanërisht njerëzit në zonat pranë vijës së frontit. Paratë do të përdoren, ndër të tjera, për riparimin e banesave, si dhe për sigurimin e pajisjeve sanitare ambulante dhe të ngrohëseve.
Përveç kësaj Gjermania do të kontribuojë me 10 milionë euro në një fond të NATO-s, me të cilin do të financohen, ndër të tjera, furnizimi me energji, materialet mjekësore dhe sistemet për mbrojtje kundër dronëve, transmeton Klankosova.tv.
“Vrasje e verbër e civilëve”
Johann Wadephul dënoi sulmet gjithnjë e më të shpeshta ruse me dronë dhe raketa, duke e akuzuar Moskën për “vrasje të verbër të civilëve” si edhe për shkatërrim të qëllimshëm të infrastrukturës energjetike. “Ne qëndrojmë në krah të Ukrainës. Ne e mbështesim atë. Ajo do ta fitojë këtë përballje ushtarake”, tha Wadephul.
Gjatë javëve të fundit Rusia i ka intensifikuar sulmet e saj ndaj vendit fqinj. Në shënjestër të forcave të armatosura ruse është edhe infrastruktura civile.
Wadephul sheh “shenja dobësie” të Rusisë
Rusia synon të shkatërrojë bazat e jetesës së njerëzve në Ukrainë dhe në këtë mënyrë t’ua thyejë vullnetin për qëndresë, tha Wadephul. Sipas tij muajt e verës korrik dhe gusht kanë qenë më vdekjeprurësit për popullsinë civile ukrainase gjatë më shumë se katër vjetëve. “Rusia nuk ka hedhur kurrë më parë kaq shumë raketa ndaj Ukrainës”, tha ai.
Ai e siguroi Ukrainën për mbështetjen e mëtejshme nga Gjermania. Wadephul shprehu shpresën se në këtë mënyrë Rusia mund të lëvizë drejt negociatave për paqe. Sipas tij gjithnjë e më shumë njerëz në Rusi po e kuptojnë se vazhdimi i luftës vetëm sa e çon vendin më thellë në rrënim ekonomik.
“Propaganda gjithnjë e më e çrregullt dhe shtypja gjithnjë e më totalitare, po ashtu brenda vendit ka gjithashtu shenja të dobësisë së regjimit. E vetmja rrugëdalje është paqja. Që Putini më në fund ta pranojë këtë dhe të ndalojë së dërguari edhe të rinjtë e vendit të tij drejt vdekjes në mijëra raste, ky është qëllimi i të gjitha masave tona”, tha Wadephul.
Prandaj, sipas tij, asnjë vend tjetër nuk investon aq shumë për mbështetjen ushtarake dhe financiare të Ukrainës sa Gjermania tha Wadephul.
Ukraina feston 35-vjetorin e Pavarësisë
Wadephul ndodhet për herë të katërt në Ukrainë që nga marrja e detyrës si ministër para 16 muajsh. Vizita nuk ishte njoftuar publikisht për arsye sigurie. Në qendër të takimeve janë bisedimet me udhëheqjen ukrainase. Gjithashtu, do të diskutohet për sigurimin e furnizimeve gjatë dimrit dhe thellimin e bashkëpunimit gjermano-ukrainas në fushën e sigurisë.
Të hënën (24.08.) mbushen 35 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik. Me rastin e këtij përvjetori do të zhvillohen festime, kryesisht në kryeqytetin e vendit, Kiev. /DW



