“Po flasin hashamet”, dy interpretime për afatin e ushtrimit të detyrës së Presidentit

Kur përfundon mandati i ushtrimit të detyrës së Presidentit të Kosovës?

Përgjigjja nuk është e njëjtë për të gjithë juristët. Në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet pa një president të zgjedhur, një tjetër debat kushtetues po merr formë rreth kohëzgjatjes së mandatit të ushtruesit të detyrës së Presidentit.

Në thelb të debatit është pyetja nëse, pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe konstituimit të Kuvendit të ri, gjashtëmujori duhet të nisë nga e para për kryetarin e ri të Kuvendit që merr detyrën e ushtruesit të presidentit, apo nëse ky afat nis të llogaritet nga 4 prilli, dita kur ish presidentja Vjosa Osmani e përfundoi mandatin.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, dhe ish-gjyqtari i kësaj gjykate, Kadri Kryeziu, konsiderojnë se pas konstitutimit të Kuvendit, kryetari i ri i legjislativit që do të ushtrojë edhe detyrën e presidentit mund ta nisë nga zero afatin gjashtëmujor.

Por ndryshe e sheh hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, i cili thotë se afati për ushtrimin e detyrës së presidentit lidhet me pozitën dhe jo me individin.

Andaj sipas tij, më 5 tetor përfundon afati gjashtë mujor për ushtrimin e detyrës së presidentit dhe pas kësaj date nëse s’ka president të zgjedhur vendi hyn në një teren të pashkelur juridikisht, shkruan KP, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, neni 90, paragrafi tre i Kushtetutës thotë se “posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e konsideron të qartë se zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit nënkupton edhe fillimin e një afati të ri gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së Presidentit.

Sipas Hasanit, interpretimi se afati përfundon në tetor është i gabuar. Ai e cilësoi këtë interpretim me një shprehje “Po flasin hashamet”.

“Edhe një të sqaroj se këtu i kam dëgjuar për fat të keq edhe të komunitetit juridik. Nëse zgjedhet kryetari i Kuvendit, nëse nuk është zonja Haxhiu, ai atë ditë e merr mandatin e ri gjashtë muaj. Nëse rikonfrimohet prapë zonja Haxhiu për kryetare të Kuvendit, mandati gjashtë mujor nis prej tash, jo prej kur e ka marrë. Nuk i përfundon mandati (në tetor) gabim e kanë. Kushdo qoftë që e thotë se po flasin hashamet dhe këto janë të qarta”, deklaroi Hasani, në emisionin “Intervista e javës” në KosovaPress më 13 qershor.

Në të njëjtën linjë është edhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu. Sipas tij, në momentin që konstituohet Kuvendi dhe zgjidhet kryetari i ri, në mungesë të Presidentit të zgjedhur, ai automatikisht merr edhe detyrën e ushtruesit të Presidentit dhe nis një afat të ri gjashtëmujor.

Një interpretim krejt tjetër vjen nga hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD), Gëzim Shala. Sipas tij, dispozita kushtetuese nuk i jep secilit person që merr detyrën e kryetarit të Kuvendit, një afat të ri gjashtëmujor, por kufizon kohën gjatë së cilës posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit mund të ushtrohet.

Shala thotë se ndryshimi i personit që ushtron detyrën nuk e zgjat afatin kushtetues, derisa shton se më 5 tetor përfundon afati gjashtëmujor që kur Haxhiu ka marrë detyrën si ushtruese e detyrës së presidente.

Ai shton se nëse deri në atë kohë s’ka president të zgjedhur, Kosova do të hynte në një situatë të re, të cilën Kushtetuta nuk e rregullon shprehimisht dhe për të cilën, sipas Shalës, nuk ekziston as ndonjë standard i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.

Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive.

Kryeministri në detyrë, njëherësh lideri i LVV-së, Albin Kurti, është takuar të martën me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për çështjen e presidentit.

Pas takimit, të dy thanë se ka vullnet të dyanshëm për ta zgjedhur president një figurë unifikuese dhe konsensuale. Të njëjtit nuk përmendën emra, por thanë se do të diskutojnë në organet e brendshme partiake dhe pastaj, në takimin e radhës, do të paraqesin emra konkretë për president. Ndërkohë në këto diskutime nuk janë përfshirë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.