Temperaturat do të zbresin disa gradë, por termometri do të vazhdojë të shkojë deri në 39°C
Pas ditëve me temperatura ekstreme, javën e ardhshme pritet një rënie e lehtë e temperaturave. Sipas Entit Hidrometeorologjik (EHM), temperaturat maksimale gjatë javës do të lëvizin nga 37 deri në 39 gradë Celsius.
Ndryshimi i motit do të nisë që nga e hëna, kur temperaturat ditore do të shënojnë një rënie prej disa gradësh. Krahas freskimit të lehtë, në orët e pasdites pritet edhe paqëndrueshmëri lokale e motit.
Nesër deri në 40°C, por pasdite mund të ketë stuhi
E diela do të jetë kryesisht me diell dhe shumë e nxehtë, me vranësira të vogla deri mesatare.
Megjithatë, gjatë pasdites në disa zona pritet shtim i vranësirave, me mundësi për reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të përforcuar. Në mënyrë të izoluar mund të ketë edhe stuhi me erë të fuqishme dhe breshër.
Temperatura maksimale nesër pritet të arrijë deri në 40°C.
E hëna sjell paqëndrueshmëri
Sipas parashikimit të EHM-së, veçanërisht të hënën pasdite do të ketë kushte për zhvillim të paqëndrueshmërisë lokale, të shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fortë.
Në disa vende nuk përjashtohet mundësia për mot të lig me erëra të fuqishme dhe breshër.
Megjithatë, edhe pas rënies së temperaturave, vera do të vazhdojë të jetë shumë e nxehtë, pasi maksimalet gjatë javës së ardhshme do të mbeten në intervalin 37–39°C.
Në Shkup: nxehtë, me mundësi për shi pasdite
Në Shkup pritet mot me diell dhe i nxehtë, me vranësira të vogla deri mesatare.
Gjatë pasdites, në disa pjesë të fushëgropës së Shkupit do të ketë mundësi për reshje të shkurtra të rrëmbyeshme dhe bubullima.
Era do të fryjë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimi verior.





