Gjimnazi i Tetovës, Shkolla e Mesme e Mjekësisë dhe Shkolla e Mesme Ekonomike „8 Shtatori“ vazhdojnë të jenë ndër zgjedhjet më të preferuara për nxënësit që këtë vit do të regjistrohen në arsimin e mesëm.
Në Gjimnazin e Tetovës, interesimi i nxënësve ka qenë i lartë që në dy afatet e para të regjistrimit, ndërsa edhe në afatin e tretë janë regjistruar aplikime të reja.
Drejtori i Gjimnazit të Tetovës, Jeton Kamberi, tha se në afatin e fundit kanë aplikuar rreth 30 nxënës, por jo të gjithë do të mund të regjistrohen, pasi për pranimin në këtë shkollë kërkohen të paktën 60 pikë.
“Numri i aplikantëve në shkollën tonë për vitin e parë është 295 në afatin e parë. Edhe në afatin e dytë dhe tani në afatin e tretë ka pasur paraqitje të nxënësve. Afër 30 nxënës kanë aplikuar, mirëpo jo të gjithë do të pranohen për shkak se nuk i plotësojnë 60 pikët që kërkohen në shkollën tonë. Rrjedhimisht, do të duhet ta marrin dokumentacionin dhe të aplikojnë në një shkollë tjetër”, deklaroi Kamberi.
Interesim i madh është shënuar edhe në Shkollën e Mesme Ekonomike „8 Shtatori“. Në dy afatet e para në këtë shkollë janë pranuar mbi 180 nxënës, ndërsa numri pritet të rritet edhe pas përfundimit të afatit të tretë.
Drejtoresha e shkollës, Hava Hasani, e vlerësoi si të kënaqshëm interesimin e nxënësve për drejtimet që ofron shkolla.
“Deri në këto momente interesimi është i kënaqshëm. Numri i nxënësve që kanë aplikuar deri tani është mbi 170 nxënës”, u shpreh Hasani.
Në nivel vendi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin shkollor 2026/2027 ka paraparë mbi 25 mijë vende të lira për regjistrimin e nxënësve në vitin e parë në 109 shkolla të mesme publike.
Megjithatë, numri real i nxënësve që regjistrohen është dukshëm më i ulët dhe lidhet drejtpërdrejt me numrin e nxënësve që përfundojnë arsimin fillor.
Ndërkohë, jo të gjithë nxënësit e Tetovës do ta nisin vitin e ri shkollor në objektet e tyre.
Nxënësit e Shkollës së Mesme të Tekstilit pritet që edhe këtë vit një pjesë të mësimit ta ndjekin online, ndërsa pjesën tjetër në objektin e Shkollës Fillore „Besa“ në Reçicë të Vogël, pasi objekti i tyre shkollor ende është në ndërtim.
Në kushte të ngjashme pritet ta nisin vitin shkollor edhe nxënësit e Shkollës Fillore „Rilindja“ në fshatin Sellcë, ku punimet në objektin shkollor ende nuk kanë përfunduar. përcjell Zhurnal.mk .





