Natë ferri në fshatin malor Cerovë të Tetovës: Zjarrfikësit gjatë gjithë natës në betejë me flakët

Ekipet e zjarrfikësve të Tetovës gjatë gjithë natës kanë luftuar për lokalizimin e zjarrit pranë fshatit Cerovë, në komunën rurale të Zhelinës, në rajonin e Tetovës.

Cerova ndodhet në shpatet perëndimore të Malit të Thatë (Suva Gora), në një lartësi mbidetare prej rreth 780 metrash.

Përgjegjësit e Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve nga Tetova kanë qenë në terren, ku kanë koordinuar drejtpërdrejt situatën me zjarrin, me qëllim parandalimin e përhapjes së tij në zonat përreth.

Ekipet e kompetente janë vendosur në pikat kritike përreth fshatit Cerovë. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë drejtpërdrejt në terren për të ndaluar përparimin e flakëve dhe për ta vënë zjarrin nën kontroll sa më shpejt.

Drejtuesit e QMK-së dhe brigadës së zjarrfikësve të Tetovës vazhdojnë ta monitorojnë situatën në terren dhe janë të gatshëm të reagojnë në kohë në rast të ndryshimit të kushteve.

Qendra për Menaxhim me Kriza u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit dhe lëvizjes në ambiente të hapura. Sjellja e përgjegjshme në natyrë është veçanërisht e rëndësishme për parandalimin e zjarreve të reja në këtë periudhë. (INA)