Pritje e veprimtarëve të shquar humanitarë nga Shkupi e Kumanova

Në një takim, Konsulli i Përgjithshëm z. Agim Krasniqi mirëpriti veprimtarët humanitarë dhe aktivistët e mirënjohur të çështjes kombëtare, Kryetarin e Degës së SHHB “Nëna Tereze” në Kumanovë z. Bekim Saliu dhe veprimtarin e dalluar të SHHB “EL-HILAL” nga Shkupi, gazetarin e mirënjohur dhe poetin z. Selajdin Shabani.

Në pritje bashkë me z. Krasniqi ishte edhe Kryetari i SHHB “Nëna Tereze” në RMV z. Jashar Pollozhani, veprimtar i shquar ndër vite i çështjes kombëtare.

Në takim u biseduan për tema të ndryshme nga aktualiteti politik sikur edhe tema në rrethana dhe kohë të vështira, në kohë lufte në Kosovë. Në mes tjerash pati evokime nga koha e fluksit më të madh të të shpërngulurve me dhunë të popullatës shqiptare gjatë periudhës kohore mars-qershor 1999 deri në kthimin biblik në Kosovën e lirë.

Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, për kontributin e çmuar dhe ndihmën e pakursyer për popullatën në Bllacë e gjetiu, në ato kohë me plotë rreziqe e pasiguri, Konsulli i Përgjithshëm z. Krasniqi, në fund të këtij takimi të ngrohtë dhe vëllazëror, ndau mirënjohje për z. Selajdin Shabani dhe z. Bekim Saliu.
Ministry of Foreign Affairs and Diaspora – Republic of Kosovo