Pjesët kockore të ekspozuara nga erozioni çuan te varreza masive në Zubin-Potok

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka zbuluar planin operacional nga i cili u zbulua varreza masive në Zubin Potok.

Në një konferencë për media Hoxha tha se nga informacionet për një periudhë të gjatë nga terreni është arritur të lokalizohet lokacioni i dyshuar nga i cili janë vërejtur pjesë kockore të ekspozuara nga errozioni dhe zhvendosja e dheut.

Ai tha se me të pranuar informacionin është informuar antropologu nga IML i cili konstatoi se pjesët kockore janë me prejardhje njerëzore.

“Informacionet e grumbulluara pas një periudhe të gjatë dhe njohuritë e hetuesve për secilin subjekt janë shfrytëzuar në mënyrë efektive me çka është arritur të lokalizohen edhe vendvarrezat e dyshuara. Pas arritjes në lokacion pas vëzhgimit fillestar të sipërfaqes së terrenit në afërsi të një përroi ku si pasojë e erozionit ishte zhvendosur një pjesë e dheut janë vërejtur pjesë kockore dhe veshmbathje të ekspozuara pjesërisht në sipërfaqen e tokës. Lidhur me këtë gjetje është njoftuar antropologu mjeko-ligjor i cili ka dalur menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas ekzaminimit preliminar ai ka konstatuar se pjesët kockore janë me prejardhje njerëzore dhe të njëjtat paraqesin interes forenzik”, tha Hoxha.