Mbi 10 mijë të papunë me arsim të lartë, mes tyre 600 magjistra dhe 20 doktorë shkencash

Mbi 110 mijë persona rezultojnë të papunë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa më shumë se 10 mijë prej tyre kanë arsim të lartë. Në këtë grup përfshihen rreth 600 magjistra dhe afërsisht 20 doktorë shkencash, të cilët ende nuk kanë arritur të sigurojnë një vend pune. Rreth gjysma e të papunëve janë 39 vjeç.

Fushatat e qeverive të Maqedonisë së Veriut, me mesazhe si “Shkollohu” dhe “Dituria është fuqi”, kanë synuar t’i nxisin të rinjtë të ndjekin studimet universitare, me premtimin se arsimi do t’u garantojë një të ardhme më të mirë.

Megjithatë, shumë të rinj përfundojnë fakultetin, marrin titullin magjistër apo doktorojnë, por përballen sërish me pasiguri profesionale. Sipas INA-s, mundësitë e tyre shpesh varen nga partitë politike që ndodhen në pushtet, duke i lënë pa një orientim të qartë për të ardhmen e tyre.

Për shumë të rinj, diploma universitare dhe titujt shkencorë nuk janë kriteri kryesor për punësim. Ata shprehen se ndikimi politik, përmes librezës partiake, përcakton më shumë mundësinë për të gjetur një vend pune, ndërsa e konsiderojnë veten pengje dhe viktima të kësaj dukurie.

Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) tregojnë se, nga mbi 100 mijë të papunë në Maqedoni, më shumë se 10 mijë kanë arsimim të lartë. Prej tyre, gati 600 janë magjistra dhe rreth 20 janë doktorë shkencash.

I njëjti raport evidenton se afërsisht gjysma e të papunëve me arsim të lartë janë deri në moshën 39 vjeçare.

Punësimi përmes lidhjeve partiake, miqësive, kontakteve të krijuara në të kaluarën, si dhe përmes ryshfetit, është kthyer në një realitet që ka dëmtuar vlerat dhe ka penguar të rinjtë në përparimin profesional. Për këtë arsye, shumë prej tyre janë detyruar të largohen nga vendi.

Ndërkohë, administrata shtetërore dhe institucionet e ndryshme janë mbipopulluar prej vitesh me persona të tillë, një pjesë e të cilëve konsiderohen të papërgatitur dhe të paaftë për të përmbushur përgjegjësitë e vendeve të punës.

Kjo situatë pasqyrohet edhe në statistikat zyrtare dhe në hulumtimet e organizatave joqeveritare vendase e ndërkombëtare. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar vazhdimisht për një administratë të mbingarkuar me aktivistë partiakë dhe ka kërkuar profesionalizimin urgjent të saj, veçanërisht në sektorët më të ndjeshëm.